Iniciohet aktakuzë për parkingun e “egër” në Çair
- Pas zhvillimit të procedurës paraprake, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar akuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale uzurpim të patundshmërive nga neni 225 i Kodit penal.
- Post By Fami Bajrami
- 09:36, 4 dhjetor, 2024
Shkup, 4 dhjetor 2024 (MIA) - Pas zhvillimit të procedurës paraprake, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar akuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale uzurpim të patundshmërive nga neni 225 i Kodit penal.
Siç informon Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut, 47-vjeçari i akuzuar, ka marrë në posedim pronën e huaj – tokën prapa Shtëpisë së Shëndetit Shkup – Poliklinika e Bit pazarit.
"Toka në pronësi të shtetit e cila i është dhënë për shfrytëzim Shtëpisë së shëndetit dhe si pronë në përdorim të përgjithshëm në Planin e detajuar urbanistik të komunës së Çairit, i akuzuari e ka shfrytëzuar për parking të improvizuar. Në emër dhe shpenzime të personit juridik ka vendosur rampë dhe një pikë pagesore dhe ka angazhuar një person për të kryer pagesë me çmim prej 50 denarë për 90 minuta shfrytëzim, duke kufizuar dhe kontrolluar hyrjen dhe daljen e tokës", kanë thënë në PPRMV.
Së bashku me aktakuzën, prokurori publik në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka paraqitur propozim të veçantë për caktimin e masës së kujdesit- ndalesë për kryerjen e aktiviteteve të punës, përkatësisht ndalesë për shfrytëzimin e tokës në fjalë.
Foto: arkivi i MIA-s