• e premte, 22 nëntor 2024

Inflacioni i janarit në Shqipëri 3,4 për qind, më i ulëti në tre vitet e fundit

Inflacioni i janarit në Shqipëri 3,4 për qind, më i ulëti në tre vitet e fundit

Tiranë, 13 shkurt 2024 (MIA) - Instituti Shqiptar i Statistikave, INSTAT, njoftoi se në janar të këtij viti, inflacioni ka arritur në nivelin 3,4 për qind, që është niveli më i ulët që nga nëntori i vitit 2021.

Krahasuar me dhjetorin e 2023-shit, inflacioni është 0,5 për qind.

"Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar kur indeksi i çmimeve arriti në 7.2 për qind, niveli i inflacionit është pothuajse përgjysmuar. Rritja e çmimeve në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,91 për qind, ndjekur nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,44 për qind. Nga ana tjetër, në ulje ka ndikuar transporti", thuhet në njoftim.

Nga një nivel i ulët gjatë dekadës së fundit, inflacioni filloi të rritet nga kërkesa e lartë pas pandemisë në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe u intensifikua më tej pas luftës në Ukrainë.

Muajin e kaluar, niveli i inflacionit ishte katër për qind, krahasuar me nëntorin kur ishte 3,9 dhe tetorin 3,8 për qind.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë deklaroi sot se nuk ka plane për rritje të normës bazë të interesit dhe se ajo mbetet në nivelin 3,25 për qind.

Sipas tij, banka pret që inflacioni të arrijë në nivelin prej tre për qind në gjysmën e dytë të vitit. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR