• e enjte, 20 shkurt 2025

Inciativë e re e Makronit: Parisi sot nikoqir i edhe një takimi për Ukrainën

Inciativë e re e Makronit: Parisi sot nikoqir i edhe një takimi për Ukrainën

Paris, 19 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makron kumtoi se sot organizon edhe një tjetër takim me përfaqësues të "disa vendeve evropiane dhe joevropiane" për Ukrainën. Kjo vjen pas takimit të hënën, ku morën pjesë një numër i vogël i vendeve kyçe, si dhe liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.

Sipas burimeve diplomatike franceze, mes pjesëmarrësve janë shefa të shteteve dhe qeverive nga Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia, Belgjika, Republika Çeke, vendet baltike, Norvegjia dhe Kanadaja, ndërsa disa liderë do të bashkohen përmes video lidhjes, duke përfshirë dhe kryeministrin grek. Pritet që Makron të konsultohet me të gjithë liderët e BE-së deri në fund të javës.

Në intervistë për disa media rajonale franceze, Makron vlerësoi se presidenti amerikan Donald Tramp mund "të inicojë një dialog të dobishëm me presidentin rus Vladimir Putin, por në të njëjtën kohë krijon paqartësi strategjike, që i mundëson Putinit të përdorë pasigurinë për të ushtruar presion".

Presidenti francez theksoi se është i gatshëm të bisedojë me Putinin "kur të jetë koha e duhur në kuadër të negociatave të ardhshme".

"Në këtë moment, Evropa nuk është në gjendje të sigurojë mbrojtjen e saj pa SHBA-në. Sot kjo është edhe më e theksuar se tre vite më parë. Duhet ta përshpejtojmë procesin dhe të ndërmarrim hapa konkretë në tre deri pesë vitet e ardhshme. Prioriteti kryesor i SHBA-së është Kina, ndërsa Rusia paraqet kërcënim ekzistencial për Evropën", deklaroi Makron për mediat rajonale, mes të cilave Depesh (La Dépêche) dhe Parizien (Le Parisien).

Ai shtoi se Franca nuk po përgatitet të dërgojë forca tokësore në frontin ukrainas.

Si mundësi për të ofruar garanci sigurie për Kievin në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqesore me Moskën, Makron përmendi dërgimin e ekspertëve ushtarakë ose një numri të kufizuar forcash, që do të ishin jashtë zonave të konfliktit, me qëllim për të përforcuar besimin tek autoritetet ukrainase.

Gjithashtu, zbuloi se Franca dhe Britania e Madhe po shqyrtojnë marrëveshje solidariteti me Ukrainën, e cila do të lejonte dërgimin e ekspertëve ose kontingjenteve të kufizuara të forcave. Mundësi tjetër që ai përmendi është krijimi i një misioni paqeruajtës nën mandatin e KB-së përgjatë vijës së frontit. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR