• e hënë, 16 mars 2026

IDF-ja filloi "operacion të synuar tokësor" në jug të Libanit për zgjerimin e zonës tampon kundër Hezbollahut

IDF-ja filloi

Tel Aviv, 16 mars 2026 (MIA) – Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar “operacion të synuar tokësor kundër caqeve kyçe” në jug të Libanit, duke dërguar shumë forca më thellë në zonë si pjesë e zonës tampon të zgjeruar, pasi Hezbollahu filloi me sulme ndaj Izraelit në fillim të këtij muaji në kushte të luftës me Iranin. 

Divizioni i 91-të rajonal “Galileja” filloi bastisje vonë të shtunën në sektorin lindor në jug të Libanit, me çka ushtarët u përballën dhe vranë disa operativë të Hezbollahut, njoftuan sot burime ushtarake, transmetoi Tajms of Izrael. 

IDF thekson se operacioni është i drejtuar drejt zgjerimit të "zonës së mbrojtjes së frontit". 

“Ky operacion është pjesë e përpjekjeve për të krijuar mbrojtje në vijën e parë, duke përfshirë shkatërrimin e infrastrukturës terroriste dhe eliminimin e terroristëve që veprojnë në zonë, me qëllim eliminimin e kërcënimeve dhe krijimin e një shtrese shtesë sigurie për banorët e veriut”, njoftoi ushtria.

Para se ushtarët të hyjnë në zonë, IDF njoftoi se ka kryer sulme ajrore masive dhe granatime artilerike që “t’i mënjanojë kërcënimet”. 

Në ndërkohë, divizioni i 146-të rezervë mbetet i shpërndarë në sektorin perëndimor në jug të Libanit, përderisa divizioni i 36-të kryen bastisje në zonën Rab al – Talatin. IDF po përgatitet të shpërndajë forca të shtuara në jug të Libanit dhe edhe më shumë ta zgjerojë  zonën e tij tampon që t’i përgjigjet kërcënimit nga Hezbollahu më larg kufirit. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR