• e hënë, 23 dhjetor 2024

Huthët jemenas kanë njoftuar se kanë sulmuar anije në Detin e Kuq

Huthët jemenas kanë njoftuar se kanë sulmuar anije në Detin e Kuq

Sana, 15 mars 2024 (MIA) - Kryengritës jemenas Huthi kanë njoftuar sot se kanë sulmuar me raketa anijen tregtare Pacific 01 në Detin e Kuq, raportojnë mediat britanike.

Huthët kanë sulmuar gjithashtu një shkatërrues të marinës amerikane me dronë, tha zëdhënësi ushtarak i grupit, Jahja Saria, pa dhënë dëshmi për dy sulmet.

"Marina e Jemenit ka kryer një operacion duke përdorur disa raketa kundër anijeve, duke synuar anijen izraelite Pacific 01 në Detin e Kuq. Në të njëjtën kohë, Forcat ajrore kanë kryer një operacion duke përdorur disa dronë kundër një shkatërruesi amerikan në Detin e Kuq", tha Saria.

Huthët bënë të ditur se kishin shënjestruar 73 anije izraelite të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit që nga nëntori i vitit 2023, pasi Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës.

"Ne kemi shënjestruar gjithsej 73 anije dhe anije të tjera (izraelite, amerikane dhe britanike, etj.) në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit që nga nëntori i vitit 2023, kur filluan operacionet tona si një formë mbështetjeje për popullin palestinez në Gaza", deklaroi Abdul-Malik al-Huthi, udhëheqësi i huthëve.

Ai shtoi se 34 anëtarë të huthëve janë vrarë gjatë operacioneve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR