Hulumtim: Për dhjetë vjet numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në vend është ulur për 27 mijë, apo për 10 për qind
- Vetëm në dhjetë vitet e fundit numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme është zvogëluar për 27 mijë. Rënia e numrit të nxënësve është veçanërisht e theksuar në arsimin e mesëm, ku për vetëm dhjetë vjet, numri i nxënësve është ulur për 20 për qind, gjegjësisht për 17 mijë nxënës, ndërsa në arsimin fillor, rënia është 5 për qind, pra 10 mijë nxënës.
- Post By Fami Bajrami
- 11:59, 2 shtator, 2024
Shkup, 2 shtator 2024 (MIA) - Vetëm në dhjetë vitet e fundit numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme është zvogëluar për 27 mijë. Rënia e numrit të nxënësve është veçanërisht e theksuar në arsimin e mesëm, ku për vetëm dhjetë vjet, numri i nxënësve është ulur për 20 për qind, gjegjësisht për 17 mijë nxënës, ndërsa në arsimin fillor, rënia është 5 për qind, pra 10 mijë nxënës.
Këtë e tregojnë rezultatet e investigimit të Qendrës të Komunikimit Civil, për të cilin janë përdorur të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.
Sipas investigimit, në dy të tretat e komunave ka rënie të numrit të nxënësve, ndërsa rritje ka në dhjetë komuna të Shkupit dhe në 9 komuna të tjera, jashtë rajonit të Shkupit.
Zvogëlimin më të madh të numrit të nxënësve në numrin e përgjithshëm e ka komuna e Gazi Babës, ku në vitin e kaluar shkollor kishte 2389 nxënës më pak se dhjetë vjet më parë. Komuna e radhës është Tetova, ku kishte pothuajse 1500 nxënës më pak, vetëm për një periudhë dhjetëvjeçare. Me rënie prej njëmijë nxënësish janë: komuna Qendër, komuna e Strugës, Kumanovës dhe Gostivarit.
Në numra relativë, rënien më të madhe të numrit të nxënësve në klasën e 8-të e ka komuna e Novosellës, ku vetëm për dhjetë vjet, numri i nxënësve në këtë shkallë të arsimit është përgjysmuar, pra është ulur për 57 për qind.
Rënie të numrit të nxënësve për një të tretën ka në komunat e Mavrovës dhe Rostushësh, Vevçanit, Kratovës dhe Pehçevës. Numri i nxënësve të shkollave fillore është zvogëluar për një çerek në Vrapçishtë, Konçe, Zërnovcë, Gazi Babë dhe Berovë.
Përkundrazi, ka pasur rritje të numrit të nxënësve në dhjetë komuna të rajonit të Shkupit, e me këtë edhe në qytetin e Shkupit në tërësi.
“Rritja më e madhe si në numër ashtu edhe në përqindje është në Butel dhe në Karposh. Në Karposh vitin e kaluar shkollor, në arsimin fillor kishte gati 2.5 mijë nxënës më shumë se dhjetë vjet më parë, që është një rritje e numrit të nxënësve për 56%. Në Butel rritja është me rreth 2 mijë studentë, pra me 59%. Ngjashëm është edhe në Gjorçe Petrov, ku rritja është për 43%, pra pak më shumë se një mijë nxënës. Jashtë Shkupit ka pasur rritje në nëntë komuna, por në të gjitha ka pasur vetëm një mijë nxënës më shumë tani sesa dhjetë vjet më parë. Këto janë kryesisht komuna të vogla si Çashka, Tearca, Resnja dhe Krusheva. Nga qytetet e mëdha, vetëm në Strumicë, ka rritje të numrit të nxënësve të shkollave fillore për rreth 400, përkatësisht për 9%”, citohet në njoftimin e Qendrës të Komunikimit Civil.
Kur bëhet fjalë për arsimin e mesëm, theksohet se situata është shumë më e keqe. Aty ka rënie të numrit të nxënësve në 73 komuna, përkatësisht në 90% të komunave, përfshirë edhe qytetin e Shkupit në tërësi.
Në shifra absolute, rënien më të madhe të numrit të nxënësve të shkollave të mesme e ka Shkupi dhe pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha, duke filluar nga Tetova, Struga dhe Kërçova, deri në Strumicë, Gostivar, Kumanovë dhe Shtip.
Në përqindje, megjithatë, humbësi më i madh është Pehçeva. Atje numri i nxënësve të shkollave të mesme është ulur me 83% vetëm në dhjetë vitet e fundit. Është përgjysmuar numri i nxënësve të shkollave të mesme në Krushevë, Makedonski Brod dhe Vrapçisht.
Në kryeqyte, në Shkup, ka një rënie prej 2727 gjimnazistësh, përkatësisht për 10% në vitin e kaluar shkollor.
Përkundrazi, rritje ka vetëm në shtatë komuna, pesë prej të cilave janë të rajonit të Shkupit dhe vetëm tri komuna të tjera, Bërvenica, Bogovina dhe Bogdanci. Katër nga komunat me rritje janë ato në të cilat është hapur shkolla e mesme në dhjetë vitet e fundit. Nëse përjashtohen këto komuna, numri i nxënësve të shkollave të mesme është rritur vetëm në 3 komuna të vendit, përkatësisht: Aerodrom, Qendër dhe Bogdanci.
“Gjithsesi, në të shtatë komunat ku ka rritje të numrit të nxënësve të shkollave të mesme, numri total i rritjes është 1136, krahasuar me 18000 sa ka rënë numri i nxënësve në 73 komunat e tjera, siç citojnë nga Qendra e Komunikimit Civil.
Njëkohësisht me uljen e numrit të nxënësve në arsimin fillor në të gjithë vendin, theksohet se është rritur numri i mësuesve.
“Domethënë, në vitin e kaluar shkollor kishte 1203 mësues më shumë se dhjetë vjet më parë, pra numri i tyre është rritur për 7%. Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve u ul me 5 për qind. Kur bëhet fjalë për arsimin e mesëm, numri i mësimdhënësve ka rënë për gati 5%, por atje rënia e numrit të nxënësve është për 20%, citohet në njoftimin e publikuar nga Qendra e Komunikimit Civil.
Foto: Qendra për komunikim civil