• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hulumtim: Nxënësit e shkollave të mesme nuk dinë për kontrollin e origjinës së fotografive në internet

Hulumtim: Nxënësit e shkollave të mesme nuk dinë për kontrollin e origjinës së fotografive në internet

Shkup, 27 qershor 2024 (MIA) - Nxënësit nuk i njohin mjetet për të kontrolluar prejardhjen e fotografive në internet, tregon hulumtimi për edukimin mediatik te nxënësit e vitit të parë dhe të dytë të arsimit të mesëm i cili u prezantua sot në hapësirat e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA). Në pyetjen se sa shpesh i kryeni aktivitetet e mëposhtme në rrjetet sociale çdo ditë, 83 për qind thonë se bisedojnë me miqtë ose anëtarët e familjes, 60,2 për qind se dëgjojnë muzikë dhe janë marrë me informacione rreth grupeve, bendeve dhe artistëve përmes platformave sociale, 56,8 për qind kanë parë përmbajtje - tekste, video, fotografi, 44.1 për qind kanë parë faqet e të tjerëve pa dhënë ndonjë pëlqim apo koment, ndërsa 28.4 për qind janë informuar për zhvillimet më të fundit si në vend ashtu edhe në botë.

Në pyetjen se çfarë do të bëni nëse në internet shihni diçka që e konsideroni si shqetësuese, ofenduese, që mund të dëmtojë dikë ose të ketë ndikim negativ, 55.5 për qind janë prononcuar se do ta injoronin - nuk do të reagonin, 47.6 për qind - do të ndalojnë ta ndjekin personin që ka shpërndarë përmbajtje ose komente të tilla, 50.2 për qind - do të bllokojnë personin që ka shpërndarë një përmbajtje ose koment të tillë, 34 për qind - do ta ndajnë përmbajtjen me miqtë për të thënë se nuk është mirë.. 

Gjetjet e hulumtimit i prezantoi Sofia Ristova nga Agjencia Rejting.

Sipas të dhënave të përfituara, të anketuarit meshkuj - 20 për qind, në përqindje më të madhe pa problem do të shpërndanin informacione publike për atë se çka bëjnë me të anketuarit femra - 12 për qind. Rreth 96 për qind e të anketuarve janë përgjigjur negativisht në pyetjen nëse janë të njohur me disa teknika dhe mjete për të kontrolluar origjinën e një fotografie të publikuar në internet.

Në pyetjen se çfarë përmbajtje shikojnë më shumë në internet, 62 për qind janë përgjigjur për videot "TikTok", 46 për qind - video të shkurtra në "Instagram", 39 për qind - muzikë, 31 për qind - video të shkurtra në "Jutjub", 24 për qind e të anketuarve përmbajtje sportive. Gjimnazistët e vitit të parë dhe të dytë, sipas hulumtimit përdorin më së shumti “Instagramin”, “TikTok”-un, “Fejsbukun” dhe “Snepçat”-in.

Në televizion, nxënësit e shkollave të mesme kanë ndjekur më së shumti ndeshje sportive - 39 për qind, filma artistikë - 37 për qind, emisione humoristike- 33 për qind, seriale - 29 për qind, shfaqje muzikore - 29 për qind, lajme - 26 për qind, emisione dokumentare - 22 për qind.

Drejtori i ASHMAA, Zoran Trajçevski tha se analiza e gjendjes me nivelin e arsimimit mediatik tek të miturit ka qenë e nevojshme që më parë.

"Me këtë hulumtim, Agjencia ofron të dhëna relevante që mund të përdoren në të gjitha përpjekjet e mëvonshme reformuese sepse është bërë përmes një ekzemplari reprezentativ të të gjithë nxënësve që vitin e kaluar shkollor janë regjistruar në vitin e parë dhe të dytë të arsimit të mesëm, si në shkollat ​​e mesme ashtu dhe në shkollat ​​profesionale. Krahas dhënies së të dhënave të përgjithshme për nxënësit e shkollave të mesme nga dy vitet e para, hulumtimi, aty ku ka specifika, jep edhe të dhëna individuale për nxënësit e shkollave të mesme, apo për nxënësit e shkollave profesionale. Natyrisht, në fund ka edhe konkluzione dhe rekomandime", ka thënë Trajçevski.

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka siguruar të dhëna për numrin e përgjithshëm të nxënësve dhe ka mundësuar realizimin pa pengesë të hulumtimit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR