Hulumtim: Maqedonisë i nevojiten 56 vjet për ta arritur mesataren evropiane për standardin e jetesës
- Shtetit i nevojiten 56 vjet për ta arritur mesataren evropiane në lidhje me standardin dhe kushtet e jetesës, tregon raporti i përgatitur nga ana e tetë organizatave nga Ballkani Perëndimor i cili është përqendruar në afrimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
- Post By Sara Ademi
- 13:11, 20 tetor, 2025
Shkup, 20 tetor 2025 (MIA) - Shtetit i nevojiten 56 vjet për ta arritur mesataren evropiane në lidhje me standardin dhe kushtet e jetesës, tregon raporti i përgatitur nga ana e tetë organizatave nga Ballkani Perëndimor i cili është përqendruar në afrimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ekzistojnë shumë faktorë të cilët mund ta përshpejtojnë këtë proces, por për atë duhet të përfundojnë punët në vend, përkatësisht të zbatohen reformat kyçe të cilat do të japin rezultate në jetën e përditshme veçanërisht të qytetarëve.
"Në shikim të parë, ky numër tingëllon pesimist, domethënë shumë i gjatë, por ka shumë faktorë që mund ta përshpejtojnë këtë proces dhe ky është mesazhi në të cilin duhet të përqendrohemi si shoqëri. Si pjesë e hulumtimit, u bënë disa skenarë që tregojnë nëse kjo periudhë do të shkurtohej nëse do të kishim anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, qasje në treg, qasje në fonde apo mbështetje të vazhdueshme institucionale. Të gjithë skenarët, veçanërisht në fushat kryesore - ekonomia, politikat sociale dhe dixhitalizimi, na japin një pamje të qartë se situata do të ndryshonte shumë, madje disa prej tyre do të përgjysmoheshin, nëse do të kishim anëtarësim të plotë ose qasje në fondet evropiane", thotë Viktor Mitevski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për Kërkime dhe Analiza (ZMAI).
Ajo në të cilën duhet të përqendrohemi si vend është rritja e produktivitetit, investimi në transferta sociale më të zgjuara që do të orientohen drejt aktivizimit, si dhe investimi në dixhitalizim dhe infrastrukturë.
Sipas Mitevski, rritja e pagave mund të ndikojë në nxitjen e rrjedhave dhe rritjes ekonomike, por është e nevojshme që ky trend të ndiqet me rritjen e produktivitetit.
Sipas të dhënave të raportit, bruto paga në vend është rreth 1.000 euro, ndërsa kjo është një e treta e pagës mesatare në BE që arrin rreth 3.000 euro. Për ta arritur mesataren evropiane do të na nevojiten 40 vjet.
Në fushën e arsimit, vendi nuk qëndron mirë sepse nga gjithsej gjashtë tregues, po largohemi nga Bashkimi Evropian në katër. Po largohemi nga Bashkimi Evropian në fushën e investimeve shtetërore në arsim dhe në fushën e PISA-s. Kemi përparim vetëm në fushën e regjistrimit të studentëve në universitete.
Në pjesën e shëndetësisë dhe dixhitalizimit ka progres dhe ka shanse të arrihet mesatarja evropiane.
Raporti mbi konvergjencën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian është rezultat i pothuajse një viti pune nga tetë organizatat e përfshira në përgatitjen e tij. Ai u promovua sot, në ditën kur Shoqata për Kërkime dhe Analiza (ZMAI) shënon 11 vjetorin e themelimit të saj. sa/
Foto: Printskrin