• e diel, 22 dhjetor 2024

Hovenier për takimin e Gjuriqit me Radoiçiqin: Për SHBA-në, Radoiçiqi është një kriminel që duhet të përgjigjet

Hovenier për takimin e Gjuriqit me Radoiçiqin: Për SHBA-në, Radoiçiqi është një kriminel që duhet të përgjigjet

Prishtinë, 10 mars 2024 (MIA)- Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier ka folur me tone te ashpra rreth takimit të Marko Gjuriqit, ambasadorit të deritashëm të Serbisë në SHBA dhe Milan Radoiçiqit i kërkuar nga Interpoli në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.

Fotografia e Gjuriqit dhe Radojiçiqit u publikua dhe qarkulloi mbrëmë në profile të ndryshme në platformën X. Sot takimi u konfirmua nga vetë Gjuriqi. Hovenier ka theksuar se “jemi në dijeni të raportimeve të mediave për takimin e pretenduar”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për z.Radoiçiq është i njohur. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, ka thënë Hovenier në përgjigje për Gazetën Ekspres.

“Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjskë që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të policisë së Kosovës” ka shtuar ai.

Tutje Hovenier rikujton se SHBA ka një pikëpamje të qartë për Radoiçiqin. “Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Hovenier.

Radoiçiq i cili e ka pranuar se ka qenë në krye të sulmuesve në Banjskë, ishte ndaluar nga policia serbe më 24 shtator të vitit të kaluar, por pas pak ditëve Gjykata e Lartë në Beograd kishte njoftuar se e ka liruar nga mbajtja një ditë pas marrjes në pyetje. Që nga atëherë, Radoiçiq është i lirë në Serbi. Në reagimin e tij për takimin,  Gjuriq ka thënë se as nuk e fsheh e as nuk turpërohet dhe se lidhet me “punën që e bën”.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR