• e diel, 22 dhjetor 2024

Historiani i shquar Xhejms Petifer mbajti një ligjëratë në Universitetin e Tetovës për shkrimin e historisë pas Luftës së Ftohtë

Historiani i shquar Xhejms Petifer mbajti një ligjëratë në Universitetin e Tetovës për shkrimin e historisë pas Luftës së Ftohtë

Tetovë, 15 maj 2023 (MIA) - Profesori në Universitetin e Oksfordit  dhe një nga historianët dhe opinionistët më të njohur britanikë, Xhejms Petifer i cili është i specializuar në çështjet e Ballkanit, në kuadër të Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor të Universitetit të Tetovës, ka prezantuar para studentëve dhe studiuesve hulumtimin e tij “Shkrimi i historisë së Ballkanit pas Luftës së Ftohtë”.

Kjo ligjëratë, siç njofton zyra për informim e UT-së, është mundësuar nga Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, me ç’rast drejtuesja e kësaj qendre, Donika Kamberi ka shprehur falënderime dhe vlerësim të veçantë për figurën e Petifer, si një nga historianët më me zë të këtyre kohërave.

"Universiteti i Tetovës gjithmonë e ka vlerësuar lartë kontributin intelektual të figurave të kalibrit të Xhejms Petiferit. Kjo ligjëratë është e një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh kontributin e tij në nxjerrjen në dritë të fakteve historike, pasioni i tij i pashterur për të paraqitur këtë episod të historisë mbështetej në narrativin se, për shumë kohë studiuesit dhe historianët janë ndeshur me një kufi të pakapërcyeshëm, me çka ky preokupim i vazhdueshëm intelektual ka qenë sfidë në vete”, potencoi Kamberi.

Në ligjëratën e tij, të titulluar “Shkrimi i historisë pas Luftës së Ftohtë”, Xhejms Petifer është kujdesur që të ndjekë një vijë logjike dhe koherencë në paraqitjen e titujve, personazheve dhe ngjarjeve që e kanë portretizuar këtë segment të historisë. Me një metodë dhe qasje gjithëpërfshirëse dhe me një analizë të hollë të paraqitjes së fakteve dhe mesazhe të qarta për rrugën dhe orientimin që duhet të ndjekin popujt e Ballkanit në të ardhmen.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, i dhuroi historianit figurën e çmuar të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot - Skënderbeut. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR