• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Hiqen lejet për transport të mallrave dhe udhëtarëve mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Hiqen lejet për transport të mallrave dhe udhëtarëve mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Beograd, 7 qershor 2023 (MIA) - Transporti i mallrave mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili bëhet "në dhe nga vendet e treta", me automjete ekologjike, do të liberalizohet nga 1 gushti i këtij viti, respektivisht do të lirohet nga regjimi i lejeve. Që do të thotë - nga 1 gushti, transportuesit në të dy vendet lirisht mund të qarkullojnë pa leje, deklaroi sot ministri serb i Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, sipas kumtesës së Ministrisë resore, kjo është rezultat i marrëveshjes së arritur në mbledhjen e Komisionit të përzier Serbi - Maqedoni e Veriut për transport rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, që u mbajt në Ohër më 5 dhe 6 qershor.

"Është arritur marrëveshje që transporti i mallrave 'në dhe nga vendet e treta', i cili bëhet me automjete ekologjike - automjete të kategorisë 'automjet i gjelbër' dhe më lartë (EURO 2, EURO 3, EURO 4, EURO 5, EURO EEV dhe Euro 6) të hiqet nga regjimi i lejeve, respektivisht të liberalizohet, duke filluar nga 1 gushti i këtij viti. Po ashtu, u liberalizua edhe kargo transporti bilateral dhe kargo transporti në tranzit", tha Vesiq.

Marrëveshja mes dy palëve është bërë në bazë të iniciativës "Ballkani i Hapur" dhe qëllimet janë konfirmuar me Memorandumin për mirëkuptim dhe bashkëpunim për lehtësimin e transportit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor. bsh/

Foto: MIA Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR