• e shtunë, 07 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

HERA: Shteti duhet të rrisë investimet në parandalimin dhe mbrojtjen cilësore shëndetësore të grave, fëmijëve dhe grupeve të rrezikuara

HERA: Shteti duhet të rrisë investimet në parandalimin dhe mbrojtjen cilësore shëndetësore të grave, fëmijëve dhe grupeve të rrezikuara

Shkup, 7 prill 2025 (MIA) - Shteti të investojë në parandalimin shëndetësor dhe mbrojtjen shëndetësore cilësore dhe të arritshme si bazë për një jetë dinjitoze, apelojnë nga HERA - Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtime së bashku me Shoqatën për emancipim, solidaritet dhe barazi të grave - ESE, Nisma për të drejtat e grave nga Shuto Orizarja dhe Shoqata për mbështetjen e njerëzve që jetojnë me HIV - Së bashku më të fortë me rastin e 7 Prillit - Ditës Botërore të Shëndetit.

Këto organizata joqeveritare kërkojnë që institucionet të ofrojnë kujdes gjinekologjik dhe pediatrik të aksesueshëm në të gjithë territorin, të forcojnë shërbimin e patronazhit dhe ekipet e kujdesit shëndetësor parashkollor dhe shkollor, të rivendosin dhe përmirësojnë edukimin shëndetësor, mbështetjen e ushqyerjes me gji dhe fushatat e vaksinimit. Ata kërkojnë rritjen e buxhetit për programet parandaluese, veçanërisht për nënat, fëmijët dhe programet e skriningut për parandalimin e HIV-it dhe shëndetin seksual dhe riprodhues, dhe që autoritetet të sigurojnë që politikat shëndetësore të krijohen mbi bazën e mjekësisë së bazuar në prova dhe të ofrojnë një proces të gjerë konsultimi që do të përfshijë publikun profesional, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetet e prekura, në mënyrë që t'u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Për shkak të mungesave sistematike, siç theksojnë, një pjesë e madhe e grave, vajzave dhe bashkësive të rrezikuara mbesin pa mbrojtje shëndetësore në kohë dhe adekuate.

"Vendi ynë nuk duhet të lejojë që brezat të rriten pa kujdesin bazë shëndetësor. Investimi në parandalim – në ekzaminimet gjinekologjike dhe pediatrike, parandalimin, edukimin dhe vaksinimin është hapi më ekonomik dhe më human që mund të ndërmarrë një sistem shëndetësor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo dollar i investuar në parandalim kursen deri në katër dollarë në trajtim. Kjo jo vetëm që shpëton jetë, por ndërton një shoqëri më rezistente dhe më efikase. Maqedonia më në fund duhet ta njohë parandalimin si prioritet dhe jo si shpenzim. Dita Botërore e Shëndetit është një kujtesë, por aksioni duhet të zgjasë gjatë gjithë vitit – me përkushtim, buxhet dhe vullnet politik", thuhet në deklaratën e HERA-s – Shoqata për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor.

Ata theksojnë se buxheti për parandalimin e HIV-it është reduktuar për rreth 70 për qind nga viti 2021 deri në vitin 2025, ose nga 49 milionë në 12 milionë denarë, megjithëse, siç thonë ata, vendi mbetet prapa synimeve të ndërmarra globale për t'i dhënë fund epidemisë së HIV-it deri në vitin 2030.

"Nga viti 2019 e në vazhdim shteti ndan mesatarisht vetëm 10 për qind të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë për programet parandaluese. Në vitin 2023, 13 për qind e grave të moshës 21-59 vjeç u kontrolluan për kancerin e qafës së mitrës. Edhe pse kjo shifër paraqet një rritje krahasuar me vitet e mëparshme, është ende larg arritjes së mbulimit të kërkuar prej 70 për qind për një periudhë trevjeçare. Minimumi 3.5 për qind e grave të moshës 40-69 vjeç janë përfshirë me skrining për kancerin e gjirit në vitin 2023. Në vend ka vetëm rreth 160 gjinekologë amë, ndërkohë që në 40 komuna nuk ka asnjë gjinekolog të vetëm dhe për këtë arsye, një numër i madh i vajzave dhe grave, veçanërisht ato që jetojnë në zonat rurale, nuk kanë akses në mbrojtjen gjinekologjike bazë", thuhet në kumtesë.

Sipas HERA-s, norma e shtatzënisë në adoleshencë në vitin 2023 arriti 13,4 në 1000 vajza të moshës nga 15-19 vjet, ndërsa vendi ynë ka një nga normat më të ulëta të përdorimit të kontracepsionit modern në Evropë, që arrin vetëm 14 për qind.

Nga HERA theksojnë se plotësisht Ministria e Shëndetësisë i ndërpreu aktivitetet edukative për promovimin e vaksinimit dhe mbështetjes së shërbimit kujdestar në kuadër të Programit për mbrojtje shëndetësore aktive të nënave dhe fëmijëve. Sipas HERA-s, këto janë hapa të cilët drejtpërdrejtë rrezikojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR