• e hënë, 23 dhjetor 2024

Haxholli: Serbia hakmerret për votimin në Strasburg, nga mesnata ka bllokuar më shumë se 300 kosovarë në kufirin me Kroacinë

Haxholli: Serbia hakmerret për votimin në Strasburg, nga mesnata ka bllokuar më shumë se 300 kosovarë në kufirin me Kroacinë

Prishtinë, 17 prill 2024 (MIA) - Sekretari i Zyrës ndërlidhëse së Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli publikoi se Sebia nga mesnata mban më shumë se 300 qytetarë të Kosovës të bllokuar në kufirin me Kroacinë, raportuan në mëngjes mediat në Prishtinë.

Haxholli në ueb faqen e tij në Fejsbuk shkroi se "në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion, Serbia nuk i lëshon autobusët me targa të Kosovës.

"Në shenjë hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë në pikëkalimin 'Batrovci', midis Serbisë dhe Kroacisë, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Fejsbuk.

Sqarimi nga autoritetet serbe, ashtu siç thotë ai, është se është urdhëruar nga Beogradi.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin 'ky është një urdhër nga Beogradi'”, ka shtuar Haxholli.

Ai ka thënë se është në pritje të përcjelljes së afërt që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci dhe Serbi për të qenë afër qytetarëve.

"Meqenëse Zyra ndërlidhëse serbe nuk komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi sot në mëngjes, kam kërkuar dhe pres një përcjellje të afërt për të udhëtuar në vendkalimin e Batrovcit, për të qenë pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi", ka shkruar Haxholli.

 

QËNDRONI TË LIDHUR