• e hënë, 23 dhjetor 2024

Haxhiu kërkon mbështetje nga ndërkombëtarët për aksionet në veri të Kosovës: Qëllimi është mbrojtja e sovranitetit

Haxhiu kërkon mbështetje nga ndërkombëtarët për aksionet në veri të Kosovës: Qëllimi është mbrojtja e sovranitetit

Prishtinë, 22 maj 2024 (MIA) - Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për veprimet që, sipas saj, kanë për qëllim zgjerimin e sovranitetit dhe vendosjen e rendit dhe paqes në veri të vendit i cili është i banuar me popullatë shumicë serbe, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas reagimeve të ndërkombëtarëve rreth aksioneve në komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku të hënën u mbyllën gjashtë filialet e bankës serbe “Banka postare kursimore”, Haxhiu tha se veprimet e tilla janë në drejtim të mbrojtjes së tërësisë territoriale të vendit.

Ministrja e Kosovës deklaratën e dha në shënimin e 25 vjetorit të vrasjes së 120 dhe plagosjes së mbi 300 të burgosurve ushtarakë dhe politikë në burgun e Dubravës nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë, në manifestimin që në Kosovë përkujtohet si “Masakra e Dubravës””.

Haxhiu para mediave deklaroi se për të ruajtur sovranitetin e të gjithë territorit të vendit duhet edhe angazhim dhe mbështetje e komunitetit ndërkombëtar dhe gjithashtu tha se nuk do të lejohen aktivitete të paligjshme siç i konsideron veprimet e bankës nga Serbia në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

"Sigurisht që ne ndoqëm me kujdes të gjitha zhvillimet që po ndodhin si përpjekje për të siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të veriut të vendit. Pardje ka pasur një veprim institucional nga institucionet përgjegjëse me qëllim të zbatimit të ligjit dhe rregullores nga BQK-ja", tha Haxhiu.

Ajo theksoi se Qeveria mbështet çdo veprim që është i ligjshëm.

Aksioni i institucioneve të Kosovës për mbylljen e gjashtë institucioneve financiare serbe që vepronin ilegalisht në veri u kritikua ashpër nga ndërkombëtarët.

Pas aksionit, Departamenti amerikan i shtetit shprehu zhgënjimin nga qeveria e Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian reagoi ashpër ndaj operacionit të policisë së Kosovës kundër filialeve të bankës serbe në veri të vendit, duke vlerësuar se ky veprim është dëshmi se Qeveria e Albin Kurtit “u jep më shumë prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët”.

Aksioni në veri të Kosovës kundër institucioneve financiare serbe është kryer pas raporteve nga institucionet e monitorimit financiar siç janë Drejtoria për kundërzbulim financiar dhe Banka Qendrore.

 

QËNDRONI TË LIDHUR