• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hasani: Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit, i cili do të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh

Hasani: Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit, i cili do të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh

Tiranë, 14 prill 2024 (MIA) - Ministri për Evropën dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani përmes një publikimi në rrjetin X reagoi për sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke theksuar se "Shqipëria dënon ashpër sulmin iranian ndaj Izraelit dhe se kjo do të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Ajo rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë rajonin më të gjerë. Shqiptarët që janë në atë rajon këshillohen të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për sigurinë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë", ka shkruar ministri Hasani.

Shqipëria në fillim të shtatorit 2022 ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe urdhëroi diplomatët dhe stafin e ambasadës iraniane të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Kjo, siç tha në atë kohë kryeministri Edi Rama, është "një përgjigje ndaj sulmeve kibernetike të Iranit që nga korriku".

"Qeveria ka vendosur momentalisht të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Kjo përgjigje ekstreme është plotësisht në proporcion me përmasat dhe rrezikun e sulmit kibernetik që kërcënoi të paralizonte shërbimet publike, të zhdukte sistemet dixhitale, të hakonte dokumentet e qeverisë dhe të shkaktonte kaos dhe pasiguri në vend", tha Rama.

Të dy vendet kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 2014, kur Shqipëria pranoi 3,000 anëtarë të grupit opozitar të dëbuar, Organizata popullore e Muxhahidëve e Iranit (MAK), të cilët ishin vendosur në një kamp pranë qytetit port Durrës. ls/

Foto: Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR