• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hasani në Pragë: NATO mos ta largojë vëmendjen nga Ballkani Perëndimor

Hasani në Pragë: NATO mos ta largojë vëmendjen nga Ballkani Perëndimor

 Tiranë. 31 maj 2024 (MIA) - Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në takimin informal të ministrave të punëve të jashtme të NATO-s në Pragë, e rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, ndërsa theksoi gjithashtu domosdoshmërinë që Aleanca të mos e largojë vëmendjen e saj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.

"Samiti i NATO-s në Uashington, duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton, veçanërisht përballë sfidave të jashtme të sigurisë. Në takimin e sotëm jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë, rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën e lirë dhe sovrane dhe angazhimin tonë për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive", u shpreh Hasani. lajmëron ATSH-ja.

Hasani siguroi se Shqipëria mbetet e vendosur për të luajtur rolin e saj si aleate e palëkundur e vlerave euroatlantike.

  "Aleatë trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Uillnusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e territorit aleat, prioritetet e Samitit të Uashingtonit dhe veçanërisht vijimin e ndihmës për Ukrainën", shton agjencia.

Sipas burimit të njëjtë, ministrat e vendeve aleate u mblodhën në një sesion të vetëm informal, ku riafirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën dhe diskutuan se si mund të forcojnë mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës në terma më afatgjatë. 

 Foto: FB Hasani

 

QËNDRONI TË LIDHUR