• e hënë, 23 dhjetor 2024

Haradinaj: Kjo qeveri nuk e kupton dëmin që po i shkakton Kosovës me qasjen e saj mburravece

Haradinaj: Kjo qeveri nuk e kupton dëmin që po i shkakton Kosovës me qasjen e saj mburravece

Prishtinë, 17 tetor 2023 (MIA) - Lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ish kryeministri Ramush Haradinaj tha se eksponentët e Qeverisë së Albin Kurtit e kanë llogaritur në vota aksionin e 24 shtatorit, pas sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë të veriut të Kosovës, edhe pse atë ditë e humbi jetën një polic i Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Haradinaj në faqen e tij të Fejsbukut ka shkruar se Kosova është kthyer në problem sigurie, ndërsa qeveria Kurti mburret se përqindja e mbështetjes po rritet.

"Mburrja e eksponentëve të Qeverisë Kurti dhe deliri i tyre se pas 24 shtatorit janë rritë në përqindje, tregon se sa keq është Kosova e sa kalkulantë janë ata. Këta njerëz harrojnë që në një operacion të rendit dhe të ligjit është vrarë një hero dhe Kosova është shndërruar në problem të sigurisë e paftyrësisht mburren se si janë rritë në përqindje", tha Haradinaj. 

Sipas liderit opozitar, kjo qasje e qeverisë së Kurtit po e dëmton Kosovën.

"Këta njerëz harrojnë që para shumë vitesh Kosova është ndier e sigurt dhe nisur nga ky fakt, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar patën tërhequr trupat e tyre në kuadër të KFOR-it dhe tash janë detyruar të rikthehen. Këta njerëz nuk po e kuptojnë dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës me qasjen e tyre mburravece dhe me të panjohurat që pasojnë kur çështja e sigurisë së brendshme, kthehet në çështje të sigurisë ndërkombëtare", ka shkruar Haradinaj. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR