• e martë, 26 nëntor 2024

Haradinaj: Baza e re e NATO-s në Shqipëri është bazë e sigurisë në Ballkan

Haradinaj: Baza e re e NATO-s në Shqipëri është bazë e sigurisë në Ballkan

Prishtinë, 4 mars 2024 (MIA) - Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se baza ajrore e NATO-s që është hapur sot në Kuçovë, Shqipëri është "bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit", njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Haradinaj në faqen e tij në Fejsbuk ka shkruar se afërsia e NATO-s e bënë Kosovën "më të lirë e më të sigurt" por shtoi se anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë, "sigurinë do ta bënte më të plotë".

"Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë që është hapur sot është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit. Sa më afër NATO-s, jemi më të lirë e më të sigurt, por anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë, sigurinë do ta bënte më të plotë", shkroi Haradinaj. 

Lideri opozitar e përgëzoi Shqipërinë për "rreshtimin e saj të natyrshëm" në NATO, ndërsa për qeverinë e Albin Kurtit thotë se “e ka turpëruar Kosovën duke e braktisur marrëveshjen politike me liderët e NATO-s”.

"E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për qeverinë e Albin Kurtit e cila po e turpëron Kosovën duke dalur nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s", ka shkruar Haradinaj. qa/

QËNDRONI TË LIDHUR