Hapet zyra e Komisionit për kompensim në të holla të viktimave nga veprat penale me dhunë
- – Në Ministrinë e Drejtësisë sot ishte hapur zyra e Komisionit për kompensim në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë.
- Post By Fitore Curri
- 12:07, 17 tetor, 2024

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA) – Në Ministrinë e Drejtësisë sot ishte hapur zyra e Komisionit për kompensim në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë.
Siç informoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, në konferencën e sotme për media pas hapjes së zyrës, ministria gjatë periudhës së kaluar ka punuar në sigurimin dhe realizimin e më shumë aktiviteteve me qëllim të përfundimit të procesit me karakter administrativ – teknik dhe juridik për funksionimin e Komisionit si subjekt i pavarur me punën e tij.
"Edhe pse Ligji për pagesën e kompensimit në të holla të viktimave nga veprat penale hyri në fuqi më 25.11.2022, ndërsa filloi që të zbatohet nga 25.05.2023, ja, sot, 17 muaj të tërë pas zbatimit Ministria e Drejtësisë siguroi kushte hapësinore për funksionimin e Komisionit për kompensim në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë e formuar më 13.02.2024", tha ministri.
Kryetarja e Komisionit, Cvetanka Periq, deklaroi se Komisioni sot fillon me punë.
"Po fillojmë të punojmë si person juridik i pavarur, na duhej procedurë regjistrimi, për të siguruar ambiente në ministri. Nga sot do të fillojmë me punë, shpresoj se seanca e radhës do të ketë rezultate", tha ajo.
Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë kompensim në të holla për viktimat e veprave penale të kryera me dhunë si ndihmë nga shteti, në përputhje me parimin e solidaritetit social dhe parandalimin e viktimizimit dytësor si vuajtje shtesë që viktimat mund të pësojnë nga qëndrimi i organeve kompetente. fc/
Fotografia: MIA