• e premte, 05 dhjetor 2025

Hamasi: Mbi 70 të vdekur nga sulmet izraelite në Gazë gjatë 24 orëve

Hamasi: Mbi 70 të vdekur nga sulmet izraelite në Gazë gjatë 24 orëve

Gazë, 27 qershor 2025 (MIA) – Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila është nën kontroll të Hamasit, njoftoi se sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit shkaktuan vdekje të 72 personave, ndërsa 174 janë lënduar. Ministria nuk bën të ditur nëse viktimat janë civilë ose luftëtarë, ndërsa informacionet nuk mund të konfirmohen.  

Sipas burimeve palestineze, numri i personave të vdekur nga fillimi i luftës tejkalon 56.300, ndërsa janë plagosur mbi 132.600 njerëz.

Forcat izraelite edhe më tutje zhvillojnë luftëra të ashpra me Hamasin dhe grupe të tjera të armatosura palestineze, pasi më 7 tetor të vitit 2023 militantët sulmuan territorin izraelit, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke robëruar më shumë se 250 pengje. 

Në ndërkohë, gazeta “Haarec” njoftoi se Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF) hapën hetim për keqpërdorim të mundshëm të forcës, pas akuzave se ushtarë izraelitë me qëllim qëlluan ndaj civilëve në afërsi të pikave për ndihmë humanitare. 

Sipas raporteve spitalore dhe deklaratave të dëshmitarëve, në muajin e kaluar qindra palestinezë ishin vrarë në vende ku ndahet ushqim. Ushtarë anonimë izraelitë për gazetën deklaruan se morën urdhra që të qëllojnë ndaj turmave që ta shpërndajnë, madje edhe kur nuk ka pasur kërcënim.

Zëdhënësi i armatës deklaroi se po bëhen përpjekje për shmangien e konflikteve me popullatën civile dhe se u janë dhënë udhëzime të reja forcave tokësore. 

Njësiti i armatës përgjegjës për hetime në raste të shkeljes së mundshme të të drejtës ndërkombëtare do ta hetojë sjelljen e ushtarëve te pikat për ndihmë gjatë muajit të kaluar. 

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, më shumë se 500 njerëz humbën jetën në lokacionet e tilla ose në zona kur është pritur të kalojnë kamionë humanitarë. 

Gjatë incidenteve të kaluara, armata izraelite shpesh herë thoshte se ushtarët e tij kanë gjuajtur të shtëna paralajmëruese që të pengojnë afrim. fc/

Foto: Arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR