Hajrullahi për MIA-n: Arsyeja e vetme për sulmet kundër meje janë bonuset e PSP-së
- Shefi i suspenduar i Prokurorisë së lartë publike të Shkupit, Mustafa Hajrullahi do të paraqesë ankesë në Këshillin e prokurorëve publik lidhur me vendimin e sotëm të Komisionit për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore se ai dhe një prokuror tjetër publik nga Prokuroria e lartë publike e Shkupit kanë kryer shkelje të rënda disiplinore sipas nenit 91, paragrafi 6 i Ligjit për prokurorinë publike, përkatësisht me dashje dhe në mënyrë jo të arsyeshme kanë bërë gabime të mëdha profesionale.
- Post By Fami Bajrami
- 19:28, 20 qershor, 2025
Shkup, 20 qershor 2025 (MIA) - Shefi i suspenduar i Prokurorisë së lartë publike të Shkupit, Mustafa Hajrullahi do të paraqesë ankesë në Këshillin e prokurorëve publik lidhur me vendimin e sotëm të Komisionit për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore se ai dhe një prokuror tjetër publik nga Prokuroria e lartë publike e Shkupit kanë kryer shkelje të rënda disiplinore sipas nenit 91, paragrafi 6 i Ligjit për prokurorinë publike, përkatësisht me dashje dhe në mënyrë jo të arsyeshme kanë bërë gabime të mëdha profesionale.
Në deklaratën për MIA-n, Hajrullahi ka thënë se arsyeja e vetme për gjithë këtë fushatë kundër tij është procedura në lidhje me bonuset për të angazhuarit në ish Prokurorinë speciale publike.
"Me përgjegjësinë më të madhe morale, materiale dhe penale them se arsyeja e vetme për gjithë këtë fushatë kundër meje janë vetëm bonuset kundër PSP-së", thotë Hajrullahi.
I pyetur se si e komenton vendimin e Komisionit, ai akuzoi për presione që kinse i janë bërë Vjollca Elmazit.
"Atëherë si mund ta komentoj përveçse ta telefononi denoncuesen Vjollca Elmazi ta pyesni se sa javë nuk ka fjetur për shkak të presioneve të Lupço Kocevskit për të dhënë një propozim të tillë", tha Hajrullahi.
Ai tha se pas vendimit të Komisionit vijon ankesë deri në Këshillin e prokurorëve publik i cili duhet të formojë Komision prej tre anëtarësh të cilët do të jenë edhe raportues lidhur me propozimin dhe vetëm atëherë Komisioni me shumicë prej dy të tretash, duhet të vendosë për propozimin e dorëzuar.
Komisioni për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore të Prokurorit publik në kryerjen e funksionit të prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas zbatimit të plotë të dy procedurave disiplinore dhe shqyrtimit të fakteve dhe rrethanave i pranoi propozimet e paraqitura nga Prokurori Publik Shtetëror, Lupço Kocevski dhe vendosi që Prokurori i Lartë Publik dhe një prokuror tjetër publik nga Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit kanë kryer shkelje të rënda disiplinore sipas nenit 91, paragrafi 6 i Ligjit për Prokurorinë Publike, përkatësisht kanë bërë me dashje dhe në mënyrë të pajustifikuar gabime të mëdha profesionale.
Bazuar në provat e paraqitura, Komisioni përcaktoi se prokurori publik nga Prokuroria e lartë publike Shkup, kundër të cilit u zhvillua një procedurë, ka vepruar në mënyrë joprofesionale dhe neglizhente në 4 raste në të cilat ai ka tërhequr një ankesë ose aktakuzë. Për këtë, këtij prokurori publik iu shqiptua një masë disiplinore - ulje e pagës prej 30 për qind të pagës për një periudhë prej 6 muajsh nga vendimi i plotfuqishëm", kumtoi PPRMV.
"Ndaj Prokurorit të lartë publik të PLP Shkup, u zhvilluan dy procedura të veçanta disiplinore. Në njërën, Komisioni përcaktoi se është përgjegjës për shkak të parregullsive të konstatuara në mënyrën e regjistrimit të lëndëve në Prokurorinë e lartë publike të Shkupit, ndërsa në tjetrën për vendime joprofesionale të marra në tre nga rastet e lartpërmendura, sepse lëndët iu referuan atij dhe vendimet u morën me pëlqimin e tij. Duke pasur parasysh shkeljet e rënda disiplinore të konstatuara në të dyja procedurat, u vendos që t'i paraqitet një propozim Këshillit të prokurorëve publik për shkarkimin e Prokurorit të lartë publik të Prokurorisë së lartë publike të Shkupit", theksohet në kumtesën.
Vetëm lidhur me pretendimet për një shkelje tjetër të rëndë disiplinore të kryer nga Prokurori i lartë publik i PLP Shkup, që kishte të bënte me dëmtimin e reputacionit të Prokurorisë së lartë, Komisioni vendosi se ekziston vjetërsi e propozimit.
Prokurori Publik i Republikës Lupço Kocevski, bazuar në gjetjet për situatat e konstatuara nga mbikëqyrja kryer në Prokurorinë e lartë publike të Shkupit, në dhjetor të vitit të kaluar paraqiti një propozim për të filluar procedurë disiplinore kundër kreut të Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, Mustafa Hajrullahi, dhe një prokuror publik për punë joprofesionale dhe neglizhente në katër raste në të cilat ai hoqi dorë nga ankesa ose aktakuza.
Hajrullahi pas vendimit për pezullimin e tij, akuzoi se kallëzimi penale kundër tij i ngritur nga Prokurori publik i republikës ka për qëllim largimin dhe heshtjen e tij, si dhe frikësimin e kolegëve të tjerë që veprojnë në përputhje me ligjin, me qëllim, siç tha ai, marrjen e vendimeve të urdhëruara.
Foto: arkivi i MIA-s