• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hagari: Irani synonte të arrinte rezultate

Hagari: Irani synonte të arrinte rezultate

Jerusalem, 14 prill 2024 (MIA) - Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari kategorikisht e hodhi poshtë idenë se sulmi iranian gjatë natës ndaj Izraelit ishte menduar si një formë demonstrimi, pa asnjë qëllim serioz për të shkaktuar dëm, njoftoi DPA.

"Mendoj se Irani donte të arrinte rezultate dhe nuk i arriti ato", deklaroi Hagari. Ai e përshkroi përdorimin e raketave balistike nga Irani si një përshkallëzim të qartë.

Sa i përket përgjigjes së mundshme të Izraelit, një zëdhënës ushtarak tha: “Ne po vlerësojmë situatën, po i tregojmë kabinetit planin dhe jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur Izraelin. Vendi është gati për kërcënime të mëtejshme nga Irani," theksoi Hagari.

Sipas tij, Irani ka lëshuar rreth 300 projektila, prej të cilave 99 për qind janë penguar nga Izraeli dhe aleatët e tij.

Hagari tha se Franca është ndër vendet që morën pjesë në mbrojtjen kundër sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

“Franca ka teknologji shumë të mirë, aeroplanë, radarë – dhe unë e di se ata kontribuan në patrullimin e hapësirës ajrore”, tha ai, duke shtuar se nuk kishte të dhëna të sakta nëse aeroplanët francezë rrëzuan ndonjë nga projektilat e lëshuara nga Irani. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR