• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Grubi: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, zgjidhja e vetme është mbështetja konsensuale e ndryshimeve kushtetuese

Grubi: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, zgjidhja e vetme është mbështetja konsensuale e ndryshimeve kushtetuese

Gostivar, 16 gusht 2023 (MIA) - Zgjedhjet, nuk janë absolutisht rrugëdalje apo zgjidhje, zgjidhja e vetme është t'u qasemi ndryshimeve kushtetuese dhe të mbështeten nga të gjitha partitë parlamentare. Këtë qëndrim e ka shprehur zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për mundësinë që nëse nuk janë më shumë se 80 deputetë a do të ishin zgjedhjet si opsion.

"Jo, zgjedhjet nuk janë absolutisht një opsion. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. E vetmja zgjidhje që është e mirë për ju, për ne, për të gjithë qytetarët, për të gjithë vendin tonë, për të gjithë rajonin tonë është afrimi me ndryshimet kushtetuese. T'i mbështesim në mënyrë konsensuale si LSDM-, BDI-, Aleanca, VMRO-DPMNE-në dhe të gjitha partitë e tjera politike që janë pjesë e Kuvendit tonë", tha Grubi në Gostivar në deklaratën për mediat në  “Panairin për punësim” në organizim të konsorciumit “Behtel dhe Enka” që po ndërton korridoret 8 dhe 10d.

Ai ka theksuar se ndryshimet kushtetuese janë teknike dhe nuk ndërhyjnë fare në identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe se, siç ka theksuar, askush nuk do të shohë asgjë të keqe nga ndryshimet kushtetuese.

"Nga teksti që u miratua nga Qeveria dhe u propozua në Kuvend shihet se nuk ka pasur absolutisht asnjë kritikë as nga opinioni akademik dhe as nga opinioni politik në vendin tonë. Pra e gjithë rezistenca për momentin është për motive ditore-politike për të provokuar zgjedhje të parakohshme dhe marrjen e pushtetit, jo për të gjetur zgjidhje. Qytetarët nuk kanë kohë për kalkulime politiko-partiake", thekson Grubi.

Grubi tha se debati për ndryshimet kushtetuese do të hapet të premten dhe tha se po punohet me VMRO-DPMNE-në dhe me individë në VMRO-DPMNE që, siç theksoi, “të bëhen pjesë e ndërtimit të së ardhmes për qytetarët tanë”. 

Të premten, Kuvendi zyrtarisht i fillon punimet me seancën e 123-të, në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është Propozimi për qasje në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Seanca duhet të fillojë në orën 11:00 me konstatimin e rendit të ditës, pas së cilës duhet të fillojë debati për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. ls/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR