• e diel, 22 dhjetor 2024

Grubi- Xhaçka: Integrimi në BE është në interes të shtetit dhe qytetarëve

Grubi- Xhaçka: Integrimi në BE është në interes të shtetit dhe qytetarëve

Shkup, 27 mars 2023 (MIA)– Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi sot priti ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup.

Në takim siç theksohet në kumtesë, u vlerësua dialogu i vazhdueshëm politik dhe zhvillimet e përgjithshme në raportet dypalëshe mes dy vendeve që tashmë shënojnë tre dekada nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

"Ndryshimet kushtetuese dhe reformat në vend u vlerësuan si proces politik që kërkon vullnet dhe theksuan se të gjithë faktorët politik duhet bërë bashkë në Frontin për Evropë dhe të lënë anësh interesin politik e të vënë në fokus interesin e shtetit dhe qytetarëve pasiqë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është i lidhur jo vetëm me stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, por edhe me mbarë kontinentin evropian", informojnë nga kabineti i Grubit.

Ai ka theksuar rëndësinë e realizimit të projekteve infrastrukturore ku mbetet edhe prioriteti i të dy vendeve por edhe punë tjera në fushën energjetike, lidhjen hekurudhore në kuadër të Korridorit 8 si dhe marrëveshjet tjera të nënshkruara mes dy qeverive.

"Në takim u tha se si aleatë të NATO, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë janë të gatshme të thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë për kontribut më aktiv në fushën e sigurisë në rajon dhe më gjerë", thuhet në kumtesë.

Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën në rajon, me fokus të veçantë dialogun Prishtinë – Beograd, pas marrëveshjes së fundit në Ohër, zhvillimet në rajonin e më gjerë por edhe agresionin rus kundër Ukrainës.

Foto: Qeveri

 

QËNDRONI TË LIDHUR