• e mërkurë, 18 dhjetor 2024

Grubi në Kosovë është nisur me automjet diplomatik pak para aksionit policor

Grubi në Kosovë është nisur me automjet diplomatik pak para aksionit policor

Shkup, 16 dhjetor 2024 (MIA) - Ish zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi pak para aksionit policor lidhur me përvetësimin e mbi 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore, së bashku me biznesmenin me automjet diplomatik dje e braktisi vendin dhe shkoi në Kosovë.

Biznesmeni i cili me automjetin e tij me targa diplomatike e ka transferuar Grubin në Kosovë menjëherë para fillimit të aksionit policor, siç kupton Telma nga burimet e hetimit, është Arsim Papraniku, një biznesmen i suksesshëm në rajon dhe pronar i Neptunit.

Kryeministri Hristijan Mickoski, mbrëmë duke qenë i ftuar në "Click Plus" në TV21, zbuloi se Grubi me automjet diplomatik me një biznesmen ka ikur në Kosovë.

"Informatat e mija janë se ish drejtori i Lotarisë Shtetërore kohë të gjatë nuk është në vend. Derisa, ish zëvendëskryeministri gjatë ditës së djeshme me një biznesmen, me automjet me targa diplomatike është larguar nga Maqedonia drejt fqiut tonë verior Kosovë", tha Mickoski.

Në lidhje me hetimin për përvetësim në Lotarinë Shtetërore, siç informoi dje Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, të dyshuar janë disa persona, ndër të cilët ish kryeministri dhe zëvendëskryeministër i parë, ish sekretari i përgjithshëm dhe zyrtarë shtetëror.

"Është vepruar sipas kallëzimit penal me datë 13.12.2024, nga ana e Departamentit për Luftën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Departamenti për Hetimet Kriminalistike dhe Njësia e Korrupsionit ndaj tetë personave fizik, njëri prej të cilëve është ish kryeministër, njëri ish zv. kryeministër, një ish drejtor i një personi juridik dhe një ish sekretar i përgjithshëm, të tjerët janë nëpunës shtetëror, të cilët punojnë pranë një prej personave juridikë. Në këtë fazë ekziston dyshimi se kanë kryer më shumë krime, të cilat në fund kanë sjellë dëme më të mëdha në buxhetin e qytetarëve të Maqedonisë", tha Toshkovski.

Gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke vepruar me propozimin e Prokurorisë Themelore Publike, caktoi masë kujdesi ndaj katër personave të përfshirë me hetimin për "Lotarinë Shtetërore të RMV"-së. Personat dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizmit zyrtar.

Njëherit, siç informojnë nga Gjykata penale, te gjyqtari i procedurës paraprake është dorëzuar edhe propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit kundër dy personave të përfshirë me hetimin e njejtë, masë e cila fillon të zbatohet nga gjetja e tyre.

Masat dalin pas hetimit të Prokurorisë kundër dy personave për përvetësim dhe katër persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Dëshmitë tregojnë se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në Lotarinë Shtetërore, kanë shkaktuar dëm prej 501.319.119 denarë në shoqatë përmes prokurimeve joligjore të terminaleve të videolotarisë.

I dyshuari i parë ka propozuar furnizimin e terminaleve, edhe pse e ka ditur se është joligjore, ndërsa i dyshuari i dytë e ka mbështetur prokurimin si zëvendëskryeministër. Terminalet asnjëherë nuk janë përdorur.

Ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski nuk i publikoi emrat, sepse ky rast është në fazën e hershme. "Opinioni e di shumë mirë se cilët janë ata dy persona. Unë do të bëja një apel publik, nga njëri nga ata dy që dje tha se do të kthehej vullnetarisht në Maqedoni, dua ta besoj, ai tha se është i pastër si loti, dua ta besoj përsëri, ja ku jam duke udhëzuar publikisht që i njëjti të kthehet në Maqedoni, nëse nuk është kthyer dhe t'u mundësohet institucioneve që ta kryejnë siç duhet këtë procedurë", tha Toshkovski.

I pyetur për zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi se është jashtë shtetit, Toshkovski me përgjigje se personi ka dalë jashtë shtetit, ndërsa siç thotë "dua ta informoj opinionin se janë kryer lëshime nga ana e policisë kufitare, udhëhiqet hetim për momentin".

Ish zëvendëskryeministri Grubi, i cili më parë ishte vënë në "listën e zezë" të SHBA-së për shkak të gjoja korrupsionit të madh, në Fejsbuk publikoi se është jashtë vendit në vizitë private.

"Kam udhëtuar për një vizitë private. Ju lutemi mos shpikni dhe spekuloni. Unë kam udhëtuar rregullisht me dokumentet e mia të udhëtimit dhe për këtë është njoftuar sigurimi personal i policisë", ka shkruar Grubi në postim.

Sipas disa raportimeve në media, ish zëvendëskryeministri i Parë Artan Grubi ka marrë tashmë një avokat që do ta përfaqësojë në çështjen për të cilën akuzohet.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi më 9 dhjetor se po vendos sanksione kundër ish zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Artan Grubi dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Enver Bexheti për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR