Grubi në "Ditët e alfabetit": Të prezantojmë atë vepër të gjerë vlerash përmes një programi kulturor që mbi të gjitha ruan traditën e këngëve dhe valleve tona
- Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi sot bëri hapjen solemne të Edicionit të V-të të manifestimit kulturor - shkencor "Ditët e Alfabetit" me rastin e shënimit të 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
- Post By Sara Ademi
- 14:58, 14 nëntor, 2023
Shkup, 14 nëntor 2023 (MIA) - Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi sot bëri hapjen solemne të Edicionit të V-të të manifestimit kulturor - shkencor "Ditët e Alfabetit" me rastin e shënimit të 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, njoftuan nga Kabineti i zëvendës kryetarit të parë të Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Grubi ka theksuar se duhet të reflektojmë mbi atë rrugëtim qëndrese e sakrifice të të parëve tanë për të ruajtur gjuhën tonë nga stuhitë që synonin zhdukjen e saj.
"Nga këtu le të reflektojmë mbi atë rrugëtim qëndrese e sakrifice të të parëve tanë për të ruajtur gjuhën tonë nga stuhitë që synonin zhdukjen e saj, le të përcjellim tek brezat e rinj rëndësinë e atij thesari veprues e atij guximi atdhetar falë të cilit jemi në këmbët tona, krenar dhe duke hapëruar drejt shtigjeve të përparimit me gjuhën tonë të shkruar", tha Grubi, qëndron në kumtesë.
Synimi i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut është të hedhim dritë mbi fakte, studime e botime nga sfera e albanologjisë që dokumentojnë lashtësinë e gjuhës sonë dhe mjeshtërinë e saj kur e njëjta është vendosur në letër përmes shkronjave.
"Të shfaqim atë opus të gjerë e të pafund vlerash përmes një programi kulturor që mbi të gjitha ruan traditën e këngës dhe valles sonë, për arkivimin e së cilës gjuha e shkruar shqipe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm", ka theksuar mes tjerash Grubi, citohet në kumtesë. sa/
Foto: Kabineti i zëvendës kryetarit të parë të Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive