• e premte, 05 dhjetor 2025

Grozdanova: Në Aerodrom, Karposh dhe Qendër, përfshirje e ulët me vaksinën MRP, rrezik i lartë nga paraqitja e epidemisë me fruth

Grozdanova: Në Aerodrom, Karposh dhe Qendër, përfshirje e ulët me vaksinën MRP, rrezik i lartë nga paraqitja e epidemisë me fruth

Shkup, 29 prill 2025 (MIA) - Ka interesim të madh për HPV vaksinën nëntëvalente edhe te djemtë, një risi që u prezantua në vitin 2024. Nga ana tjetër, e pakënaqshme është përfshirja me vaksinën MRP. Përfshirja me këtë vaksinë në komunat e Shkupit, Aerodrom, Karposh dhe Qendër ishte nën 60-70 për qind që çon në rrezik të lartë nga paraqitja e epidemisë me fruth.

Këto informata i ndau sot koordinatorja kombëtare për imunizim në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Aleksandra Grozdanova, në shënimin e Javës Evropiane të Imunizimit në Shkup.

"Asnjë prind nuk duhet të përballet me sëmundje siç janë kolli dhe fruthi, sëmundje që në këtë territor tek ne i patëm viteve të fundit, pikërisht për shkak të uljes së përfshirjes për këto dy vaksina", nënvizoi Grozdanova në një deklaratë për mediat.

Ajo tha se ka interesim të madh për vaksinën HPV nëntëvalente edhe te djemtë, një risi e prezantuar në vitin 2024.

"Nga ana tjetër, ende luftojmë me rritjen e përfshirjes me vaksinën MRP. Në këto hapësira patëm edhe epideminë e fruthit. Një apel publik për prindërit - kjo është një vaksinë cilësore dhe e sigurt që gjithkund edhe në vendet perëndimore evropiane dhe gjithkund në botë përdoret dhe me të vërtetë është e sigurt dhe mbron", tha Grozdanova.

Ajo u bëri thirrje prindërve të konsultohen me profesionistët e kujdesit shëndetësor, pediatrit dhe mjekët e familjes në lidhje me mbrojtjen që ofron kjo vaksinë.

Përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, Lesli Miler tha se vaksinat janë një nga sukseset më të mëdha të njerëzimit.

"Ato janë instrumenti më i sigurt dhe më efektiv që kemi për të mbrojtur fëmijët tanë nga sëmundjet potencialisht kërcënuese për jetën. Falë dekadash pune të palodhur, miliona fëmijë sot janë më të shëndetshëm, mësojnë më mirë në shkollë dhe bëhen anëtarë të suksesshëm të komuniteteve të tyre. Për të mbrojtur të gjithë fëmijët tanë, përfshirë të porsalindurit dhe ata që nuk mund të vaksinohen, ne duhet të mbajmë shkallën e imunizimit mbi 90-95 për qind. Imuniteti kolektiv nuk është vetëm një slogan, është një mburojë që po ndërtojmë së bashku", tha Miller.

Ajo theksoi se vaksina MRP (fruthi, shyta dhe rubeola) është një nga vaksinat më të rëndësishme për fëmijët, sepse fruthi është një nga viruset më infektive në botë - shkakton sëmundje të rënda, komplikime madje edhe vdekje.

"Në Maqedoninë e Veriut ende jemi larg imunitetit kolektiv, me përfshirje kombëtare të vaksinës MRP prej vetëm 72,7 për qind në vitin 2024 që paraqet rënie në krahasim me 73,4 për qind në vitin 2023", tha Miler.

Ajo shtoi se prindërit janë bartës kyç të vendimeve për vaksinimin e fëmijëve të tyre.

"UNICEF-i dhe Ministria e Shëndetësisë punojnë në partneritet për të siguruar informata të sigurta dhe të verifikuara që do t'u ndihmojnë prindërve t'i kuptojnë përfitimet e vaksinimit", tha Miler.

Edhe një arsye për brengë, siç theksoi Miler, është mbulimi i ulët me vaksinimin HPV (human papiloma virus). Vetëm gjysma e vajzave 14-të vjeçare në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar plotësisht.

"Në fakt, si vajzat ashtu edhe djemtë duhet të vaksinohen, sepse ka prova të forta shkencore që vaksina HPV mund të parandalojë deri në 90 përqind të rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Mbulimi prej 50 përqind thjesht nuk është i mjaftueshëm. Kjo vaksinë është e sigurt. Ajo është efektive. Dhe kjo mund të shpëtojë edhe më shumë jetë jo vetëm duke mbrojtur ata që vaksinohen, por edhe duke krijuar imunitet kolektiv që mbron të tjerët", vuri në dukje Miler.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe shef i Zyrës në Maqedoninë e Veriut, Akim Ali tha se OBSH në bashkëpunim me UNICEF-in mbështet Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurojë vaksina për të gjithë të rriturit dhe të gjithë fëmijët me qëllim që të shpëtojnë jetë.

"Kjo nuk është kohë për tërheqje. E dimë se pas epidemisë me Kovidin kishte disa çështje rreth vaksinimit, megjithatë, kjo bazohet në dëshmi. Vaksinimi shpëton jetë", theksoi Ali.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se motoja këtë vit është "Imunizimi - përfitim për të gjithë".

Sipas raportit të Institutit për Shëndet Publik, në vitin 2024 kishte rritje të përqindjes së njerëzve të vaksinuar në krahasim me tre vitet paraprake.

"Si Ministri e Shëndetësisë, sërish arritëm këtë vit të sigurojmë 385 milionë denarë për vaksinim dhe do të bëjmë përpjekje këtë vit sërish të sensibilizojmë qytetarë që të vaksinohen sa më shumë. Prandaj me ndihmën e OBSH-së tani janë siguruar në 18 komuna, 35 ekipe për vaksina, të cilat shkojnë derë më derë për t'u treguar njerëzve se sa i rëndësishëm është vaksinimi. Apeloj te të gjithë të vaksinohen sa më shumë, në mënyrë të tillë sigurojmë një të ardhme më të sigurt për ne, për fëmijët tanë dhe për gjithë shoqërinë në përgjithsi. Sa më shumë të vaksinohemi, aq më pak sëmundje do të kemi në të ardhmen", shtoi Taravari.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit - Shkup, Samir Iseni informon për aktivitetet e parashikuara në periudhën e ardhshme.

"Në lidhje me Javën e Imunizimit, Shtëpia e Shëndetit - Shkup do të organizojë aktivitete për vaksinimin në terren të fëmijëve që nuk janë vaksinuar për arsye të ndryshme në 39 vendbanime në të gjitha komunat urbane dhe periferike të Shkupit dhe zonës përreth, në periudhën nga sot deri më 9 maj", njoftoi Iseni.

Prindërit do të kontaktohen për të ardhur në pikat e vaksinimit për shkak të mosvaksinimit.

Ngjarja qendrore për Javën e Imunizimit është planifikuar të zhvillohet të shtunën dhe Iseni njoftoi ekipet që do të ofrojnë këshilla dhe fletushka në lidhje me imunizimin. sa/

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR