Grevë e re 24-orëshe e gazetarëve në Greqi
- Që nga ora 5:00 e mëngjesit të sotëm, gazetarët në Greqi filluan një grevë të re 24-orëshe, që është e dyta brenda një jave, ndërsa vendi edhe sot do të jetë pa lajme dhe emisione informative, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Athinë, 12 qershor 2025 (MIA) - Që nga ora 5:00 e mëngjesit të sotëm, gazetarët në Greqi filluan një grevë të re 24-orëshe, që është e dyta brenda një jave, ndërsa vendi edhe sot do të jetë pa lajme dhe emisione informative, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Greva organizohet nga Federata greke e asociacioneve të gazetarëve, në të cilën marrin pjesë të gjitha shoqatat e gazetarëve, dhe kërkesa kryesore e punonjësve mediatik është nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive në të gjithë sektorët e medias, përkatësisht televizion, gazeta, revista, internet, radio.
Deri nesër në mëngjes, televizionet nuk do të transmetojnë lajme dhe emisione informative, ndërsa në të marrin pjesë edhe televizioni shtetëror ERT dhe agjencia e lajmeve ANA-MPA, si dhe një numër i madh portalesh informative.
Përveç marrëveshjeve kolektive, punonjësit mediatik kërkojnë gjithashtu: negociata kolektive thelbësore dhe të frytshme me qëllim që t’i jepet fund pengmarrjes së kontratave individuale të punës; një pagë fillestare prej 1,250 eurosh në të gjitha mediat; një rritje page prej 10 bazuar në marrëveshjet e fundit kolektive të punës; një pagë të garantuar për punën në fundjavë (plus 25 për qind dhe një ditë pushim të shtunën dhe plus 100 përqind të dielën); rritje të kompensimit për detyrat në terren jashtë qytetit ku ndodhen; pagesa ditore prej 350 eurosh për dërgim zonat e luftës dhe 250 euro në zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore.
Gazetarët mbajtën një grevë 24-orëshe të enjten e kaluar, si dhe në shkurt, mars dhe prill të këtij viti. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s