• e martë, 24 dhjetor 2024

Gratë në politikë porositën: Të folurit publik, dënimi dhe raportimi i dhunës verbale është çelësi për të filluar zgjidhjen e problemeve

Gratë në politikë porositën: Të folurit publik, dënimi dhe raportimi i dhunës verbale është çelësi për të filluar zgjidhjen e problemeve

Shkup, 1 mars 2023 (MIA) - Në konferencën "Gratë në politikë - Gjuha e urrejtjes, hije që dekurajon", e organizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me mbështetjen e UN Uomen, në panelin tre për përvojat me gjuhën e urrejtjes folën deputetet në Kuvend, Arbana Pasholli,Sanella Shkriel dhe Monika Zajkova dhe këshilltarja në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Lubica Jançeva, të cilat porositën se të folurit publikisht, dënimi dhe raportimi i dhunës verbale është çelësi për të filluar zgjidhjen e problemeve.

 

Deputetja Sanella Shkriel theksoi se është shumë me rëndësi të hulumtohet dhe ndiqet gjuha e urrejtjes ndaj grave në politikë që të tregohet ndikimin i dëmshëm të cilin e ka jo vetëm ndaj grave dhe mirëqenies së tyre.

"Qëllimi përfundimtar është, gjithsesi, dekurajimi i grave nga pjesëmarrja aktive në jetën publike dhe në vendimmarrje. Kultura politike, gjegjësisht jokultura, është e mbushur me stereotipe gjinore, seksizëm, mizogjini, gjuhë të urrejtjes dhe e gjithë kjo e intensifikon më tej dhunën ndaj grave në politikë. Është shumë e rëndësishme të hulumtohet dhe ndiqet gjuha e urrejtjes kundër grave në politikë për të vënë në dukje ndikimin e dëmshëm që ka jo vetëm tek gratë dhe mirëqenia e tyre, por edhe në motivimin e përgjithshëm të grave për t'u përfshirë në mënyrë aktive në jetën politike dhe shoqërore", theksoi Shkriel.

Deputetja Monika Zajkova, theksoi se seksizmi, ofendimet personale, nënçmimi, sharjet, përzierja në jetën private, mizogjinia janë vetëm disa nga gjërat me të cilat përballen gratë veçanërisht në politikë.

"Bëhemi objekt fyerjesh dhe fjalësh nënçmuese të llojllojshme nga njerëz që nuk na njohin fare si persona. T'ju tregoj mesazhet në faqen time, edhe më tragjike sesa të marrim komente të ulëta dhe foto të organeve gjenitale të meshkujve, është se marrim edhe fjalë nënçmuese dhe fyese nga femrat. Nuk e di nëse ata njerëz nuk kanë nëna, motra apo vajza. Derisa çdo grua nuk qëndron pas një gruaje tjetër, por t'i bashkohet atyre ofendimeve, ose derisa t'i mbyllim gojën dhe të mos dalim publikisht me sulme të tilla dhe gjuhë urrejtjeje ndaj grave nuk do të ketë fund. Edukimi që në moshë më të hershme, të folurit publik dhe raportimi  i dhunës së tillë verbale është çelësi për të filluar zgjidhjen e problemeve. Përderisa ne si gra do të heshtim dhe do t'i injorojmë ato do të jenë më të zhurmshme dhe nuk do të ndalen", tha Zajkova.

Deputetja Arbana Pasholli theksoi se një grua me ambicie për zhvillim profesional e sfidon veten, por edhe rrethin në të cilin jeton.

"Suksesi i një gruaje apo vajze nuk është i rastësishëm! Është një përzierje vlerash, shumë punë por edhe këmbëngulje për të kapërcyer sfidat si dhe mbështetje mbi të gjitha nga gratë e rëndësishme në jetën e saj", theksoi Pasholli.

Këshilltarja në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Lubica Jançeva, theksoi se konferenca të ngjashme me ato të sotmet duhet të organizohen disa herë, dhe përmbajtja e tyre gjithmonë të rilexohet dhe rivlerësohet, si lexim i diturisë së urtë, por edhe si shembull i vigjilencës së ashpër intelektuale femërore dhe dhurimit analitik, dhe si thirrje për ndërgjegjen njerëzore për dëmshmërinë e gjuhës së urrejtjes dhe rëndësinë e barazisë gjinore. fc/

Fotografitë: MIA/ Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

QËNDRONI TË LIDHUR