• e premte, 20 dhjetor 2024

Gjyqtari Sashko Georgiev u zgjodh kryetar i Këshillit gjyqësor

Gjyqtari Sashko Georgiev u zgjodh kryetar i Këshillit gjyqësor

Shkup, 4 maj 2023 (MIA) - Pasditen e sotme, në vazhdim të seancës së 439-të urgjente, Këshilli Gjyqësor me tetë vota “pro” dhe katër “kundër” zgjodhi për kryetar të ri gjyqtarin Sashko Georgiev, pasi më herët në dy seanca të mbyllura “pastroi” rrugëdaljen nga gjendja në të cilën u gjend me vendim të 26 prillit të këtij viti për shkarkimin e kryetares së mëparshme Vesna Dameva.

Më herët gjatë ditës së sotme, Këshilli Gjyqësor mbajti dy seanca me dyer të mbyllura të 440-të dhe 441-të, në të cilat, siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media të publikuar pas zgjedhjes së Georgievit për kryetar të ri, fillimisht është marrë vendimi për të vënë në fuqi vendimin për shkarkimin e funksionit të kryetares së Këshillit Gjyqësor  Vesna Dameva nga 26 prilli i këtij viti, dhe më pas me nëntë vota “pro” është marrë vendim që Vesna Dameva të shkarkohet nga posti i kryetares së Këshillit Gjyqësor.

Seancën e drejtori zëvendësi Selim Ademi, i cili në një komunikatë pas seancës së Këshillit Gjyqësor ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqjen, por me veprim të shtyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor. Ademi në seancën para votimit ka treguar se kryetari i Këshillit Gjyqësor zgjidhet me tetë vota nga anëtarët me të drejtë vote.

Në seancë nuk mori pjesë kryetarja e mëparshme e këshillit, Vesna Dameva.

Para votimit, Georgiev tha se është krenaria e tij që e propozojnë dhe se propozimin e pranon vetëm nëse është nga të gjithë të bashkuar dhe se pret të gjithë së bashku, të bashkuar dhe me kontribut mbi mesataren të kontribuojnë për kthim të besimit.

"Ne e dimë prej disa ditësh se në çfarë gjendje ishte Këshilli Gjyqësor, nga ana tjetër, ne gjetëm forcë, vetëm ne e dimë se si në situatat tona këtu gjetëm forcë dhe mundësi për të dalë nga një situatë e tillë, në kuptim të rivendosjes së besimit mes nesh, dhe nga ana tjetër, gjyqësorit dhe shtetit në përgjithësi. Pra kolegë, mendoj se e kemi hapur rrugën për të arritur në këtë fazë të zgjedhjes së kryetarit, nga ana tjetër, mendoj se është një rrugë ligjore. Në atë pjesë ishim unanim. Kolegë, krenaria është në anën time që më propozoni në një gjendje të tillë që të vazhdojmë të punojmë dhe të kthejmë besimin dhe të kemi rezultate në punë. Pres që kolegët, vetëm të gjithë së bashku, të bashkuar dhe me një kontribut mbi mesatar nga vetja, të mund ta rifitojmë besimin mes nesh, dhe nga ana tjetër edhe te qytetarët", tha Georgiev.

Nëse, theksoi Georgiev, vjen sinqerisht nga kolegët e mi, unë e pranoj këtë sfidë edhe një herë i kam bërë thirrje të gjithëve që të kontribuojnë në punë.

Pas votimit, anëtarët e këshillit Mirjana Radevska Stefkova, Zoran Gerasimoski, Ivica Nikolovski dhe Meri Radevska, pa e sqaruar punën e kolegut të tyre, thanë se “në parim kanë votuar kundër”, pasi siç theksuan, Sashko Georgiev ka votuar për shkarkim dhe kështu vetë kontribuoi në situatën në të cilën u gjend Këshilli Gjyqësor.

Kryetari i sapozgjedhur i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev vjen nga Shtipi. Siç thuhet në biografinë e tij në ueb faqen e Këshillit Gjyqësor, ai e ka dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 2000, pas së cilës ka punuar si avokat në një zyrë në Shtip nga viti 2001 deri në vitin 2008. Prej atëherë e deri në vitin 2018, kur u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor, punoi si gjyqtar penal në Gjykatën Themelore të Shtipit.

Këshilli Gjyqësor, siç shpjegoi Georgiev në një deklaratë për media pas zgjedhjes së tij, ditëve të kaluara ka pasur disa kolegjiume, ndërsa sot ka mbajtur një seancë të mbyllur për publikun, me qëllim që, siç ka treguar ai, të tejkalohet situata në të cilën u gjet Këshilli.

Vendimin për mbylljen e seancës për publikun, Georgiev e arsyetoi me “marrëdhëniet ndërpersonale të shqetësuara” në Këshillin Gjyqësor.

Pas zgjedhjes së Georgievit, Këshilli Gjyqësor në faqen e tij ka publikuar një kumtesë nga seanca e 440-të e mbyllur e mbajtur sot në orën 13:30, në të cilën, siç bëjnë me dije, është marrë vendim me të cilin vihet jashtë fuqie vendimi për shkarkimin nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva.

Këshilli Gjyqësor po ashtu informoi se sot ka mbajtur edhe seancën urgjente të 441-të me dyer të mbyllura, në të cilat, siç thuhet në komunikatë, me nëntë vota “pro” është marrë vendim për shkarkimin e Vesna Damevës nga posti i kryetares së Këshillit Gjyqësor.

Njëkohësisht, siç informon Këshilli Gjyqësor, në atë seancë është marrë vendim me të cilin është konstatuar dorëheqja e Selim Ademit nga pozita e zëvendëskryetarit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, me fuqi të shtyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshilli Gjyqësor të RMV-së, shpallja e vendimit për përzgjedhje në Gazetën Zyrtare të RMV-së dhe regjistrimi i tij në Regjistrin Qendror si nënshkrues i autorizuar i të gjitha akteve dhe llogarive të Këshillit.

Vesna Dameva u shkarkua në mënyrë të papritur të mërkurën e kaluar në një seancë publike të Këshillit Gjyqësor, ndërsa shkak i drejtpërdrejtë i shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të futur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja amerikane Anxhela Ageler. Shkarkimi i saj u nis nga zëvendësi Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR