• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë vazhdon me dëshmimin e ekspertëve dhe motrave medicinale

Gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë vazhdon me dëshmimin e ekspertëve dhe motrave medicinale

Tetovë, 21 mars 2023 (MIA) - Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rinj të propozuar nga Prokuroria dhe nga mbrojtja e të akuzuarve, sot vazhdoi procesi gjyqësor për zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

U morën në pyetje profesorët universitarë, Vllatko Stoillkov dhe Vladimir Dimçev nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjisë Informatike pranë Universitetit Shën Cirili dhe Metodi në Shkup.

Ata në procedurën parahetimore kanë përgatitur konstatim dhe mendim të ekspertëve për atë nëse spitalet modulare ishin ndërtuar sipas detyrës projektuese sipas kërkesave të organit kontraktues.

Prokurori kërkoi që profesori Stoillkov të sqarojë se çfarë instalimi për energji elektrike ka pasur spitali modular në brendi.

"Në lidhje me instalimin e brendshëm për fat të keq nuk mundëm të bënim mbikëqyrje në vetë spital sepse, siç e dini ai u dogj në tërësi. Për këtë bëmë mbikëqyrje në dy spitale të tjera modulare të llojit të njëjtë në Gostivar dhe Kavadar. Bëmë kontroll nëse pajisja e montuar përgjigjet në cilësi me detyrën projektuese. Konstatuam se spitalet modulare janë realizuar sipas detyrës projektuese të Bankës Botërore, detyrim i organit kontraktues", theksoi profesori Stoillkov.

Njëri nga avokatët e mbrojtjes e pyeti dëshmitarin nëse gjatë përgatitjes së konstatimit kanë kryer mbikëqyrje në vetë vendin në Tetovë, për çka profesori u përgjigj me konfirmim.

Për profesorin Vlladimir Dimçev nuk kishte pyetje të tjera, ndërsa ai tha se mbetet në qëndrimet e dhëna në konstatimin dhe mendimin me shkrim të ekspertëve.

Dëshmuan edhe motrat medicinale, Daniella Simjanovska dhe Fluturie Islami. Në pyetjen e avokatëve nëse ka pasur aparat zjarrfikës në spitalin modular Simjanovska tha se ka pasur në dhomën e punës. Infermierja Islami në pyetjen e njëjtë tha se mendon se ka pasur aparat të tillë.

Gjatë gjykimit gjykatësi Jordan Vellkovski u kërkoi njërit nga të akuzuarit, Artan Etemi dhe një të afërmi të një të vdekuri në zjarrin për qetësi në sallë, e cila ishte prishur për shkak të konfliktit të tyre verbal mes vete. 

Prokurorët dhe disa nga avokatët për shkak të dyfishimit të një pjese të dëshmitarëve i tërhoqën listat me njerëz të cilët duhet të thirren që të dëshmojnë. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 6 prill.

Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësues i Spitalit klinik në Tetovë si person juridik theksuan se e kuptojnë akuzën, por se nuk e pranojnë fajin dhe se nuk i kanë bërë veprat për të cilat akuzohen.

Gjykimi për zjarrin që ndodhi më 8 shtator 2021 kur humbën jetën 14 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin lënduar filloi më 7 dhjetor të vitit 2022 pasi nga shtatori i vitit 2022 deri atëherë procesi gjyqësor ishte shtyrë disa herë. fc/

Fotografia: MIA

 
 


QËNDRONI TË LIDHUR