Gjykimi për "Shteklin" vazhdon me dëshminë e ekspertëve për gjendjen psikologjike të Rade Trajkovskit
- – Gjykimi për rastin “Shtekli”, në të cilin janë të akuzuar shumë persona për shitje të organizuar të drogës, vazhdon sot para Gjykatës Themelore Penale Shkup me dëshminë e ekspertëve të Prokurorisë për gjendjen psikologjike të Rade Trajkovskit.
- Post By Fitore Curri
- 07:36, 5 shtator, 2025
Shkup, 5 shtator 2025 (MIA) – Gjykimi për rastin “Shtekli”, në të cilin janë të akuzuar shumë persona për shitje të organizuar të drogës, vazhdon sot para Gjykatës Themelore Penale Shkup me dëshminë e ekspertëve të Prokurorisë për gjendjen psikologjike të Rade Trajkovskit.
Në seancën e kaluar dëshmoi eksperti i mbrojtjes, psikiatri Gjorgjia Haxhi Angellkovski, i cili e vlerësoi të akuzuarin Rade Trajkovski – Shtekli si psikotik, me karakteristika skizofrenike. Sipas vlerësimit, Trajkovski tregon besim në rimishërim dhe personalitete fiktive të cilët e “urdhërojnë” si të veprojë, që sipas mbrojtjes e bën të paaftë që ta ndjekë procedurën gjyqësore.
Gjykatësi Ilia Tërpkov paralajmëroi se do t’i përballë ekspertët nga të dyja palët para se të marrë vendim nëse do të pranohet një nga ekspertizat ose do të urdhërohet e re.
Akuza, e parashtruar nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, përfshin gjithsej 10 persona, pas hetimit gati se një vjeçar në të cilin ishin zbatuar masa të posaçme hetuese. Fillimisht ishin përfshirë 16 persona, prej të cilëve shtatë tashmë lidhën marrëveshje dhe morën dënime me burg prej 3 deri 3,5 vjet.
Katër të akuzuar – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branisllav Zajkov, gfjithashtu, parashtruan propozim për pranimin e fajit, pas çka gjykata mori vendim për ndarjen e procedurës penale.
Sipas prokurorisë, grupi ishte organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga furnizimi deri në shitjen e kokainës dhe mariuhanës. Droga ruhej në banesa të mara me qira, ndërsa shitej me çmime nga 4.500 deri 6.000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri 300 denarë për gram mariuhanë. Komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa dëshmi kyçe ishin siguruar përmes sistemit „Cellebrite“ për analizë të telefonave mobilë, donacion nga SHBA-ja. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s