• e diel, 22 dhjetor 2024

Gjykata supreme: Miratimi i ndryshimeve ligjore pa proces transparent është në kundërshtim me standardet evropiane

Gjykata supreme: Miratimi i ndryshimeve ligjore pa proces transparent është në kundërshtim me standardet evropiane

Shkup, 13 shtator 2023 (MIA) - Miratimi i ndryshimeve ligjore pa proces transparent është në kundërshtim me standardet evropiane, është konkludimi në seancën e sotme të Sektorit për vepra ndëshkuese pranë Gjykatës supreme, lidhur me ndryshimet e Kodit penal, e për të cilat nuk u kërkua mendim nga gjykatësit supremë. Nga Gjykata supreme informojnë se në seancën e sotme janë shqyrtuar edhe ndryshimet lidhur me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit.

"Përgatitja e ndryshimeve ligjore, të cilat kanë ndikim ndaj procedurave gjyqësore, duhet të zbatohet në mënyrë transparente përmes debatit publik dhe profesional. Në Gjykatën supreme nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nuk janë parashtruar për mendim ndryshimet në fjalë të Kodit penal. Me këtë u pamundësua që Gjykata supreme të japë mendim për ndryshimet e miratuara ligjore, të cilat paraqesin çështje me interes të lartë publik. Gjykata supreme vlerëson se miratimi i ndryshimeve ligjore pa proces transparent përmes debatit publik dhe profesional është në kundërshtim me angazhimet për reforma të legjislaturës në pajtim me standardet evropiane", potencojnë nga Gjykata supreme.

Prej aty theksojnë se Gjykata supreme çdoherë ka dhënë përkrahje për zgjidhjet ligjore, të cilat kontribuojnë për luftë efikase kundër korrupsionit dhe krimit dhe duke u nisur nga ato angazhime, edhe në të kaluarën nuk ka pasur vërejtje për peshën e dënimeve për veprat penale në fjalë, as nuk ka propozuar zbutjen e tyre. bsh/

Foto: MIA Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR