• e premte, 20 dhjetor 2024

Gjykata penale i bashkoi procedurat për të akuzuarit për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, gjykimi shtyhet për më 20 shtator

Gjykata penale i bashkoi procedurat për të akuzuarit për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, gjykimi shtyhet për më 20 shtator

Shkup, 4 shtator 2024 (MIA) – Gjykimi për vrasjen e minorenes Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi është shtyrë për 20 shtator pasi Trupi gjykues në Gjykatën Themelore Penale -Shkup sot mori vendim për bashkimin e veprave të të akuzuarve.

PTHP Shkup fillimisht ngriti aktakuzë kundër katër personave dhe më pas edhe ndaj të dyshuarit të parë, Lupço Palevski për të cilin pritej ekstradim nga Turqia për rrëmbim të dyfishtë dhe vrasje brutale ndaj 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe ndaj 74 -vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi.

Gjykata Themelore Penale i miratoi në tërësi akuzat dhe me kërkesë të Prokurorisë sot vendosi t'i bashkojë në një procedurë ku përveç Palevskit akuzohen edhe personat si Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës së ndjerë, Aleksandar Gjorçevski.

Sipas aktakuzës, ata së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares me qëllim për të detyruar ndonjë anëtar të familjes së saj të ngushtë që të japin para për shpërblim. Me datën 22.11.2023 i akuzuari së bashku me tre të akuzuar të tjerë kanë kryer rrëmbimin e Pançe Zhezhovskit në Veles me qëllim ta detyrojnë t'ua japë automjetin e tij "Citroen" për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Të akuzuarit kanë shkuar në shtëpinë e viktimës, pastaj e kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë lidhur, më pas e kanë futur në bagazh dhe janë drejtuar në vendin e quajtur “Rudnik” në afërsi të Velesit ku në mënyrë brutale dhe me paramendim e kanë privuar nga jeta me armë zjarri të kalibrit 9 mm.

Më 27.11.2023 të akuzuarit të ndihmuar nga një prind nën akuzë e kanë rrëmbyer vajzën në hyrje të ndërtesës në rrugën “Naum Naumovski Borçe” në Shkup. E kanë lidhur dhe e kanë dërguar në afërsi të vendit të quajtur “Dupki” në atarin e fshatit Brazdë dhe aty në mënyrë brutale dhe me paramendim e kanë privuar nga jeta minorenen.

Minorenja Vanja dhe Zhezhovski nga Velesi të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023.

Lidhur me këtë rast dyshohet edhe një person për asistencë pas kryerjes së veprës penale ndaj të cilit do të zhvillohet procedurë ndaras.

Në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm i akuzuari Lupço Palevski për shkak se siç informoi gjyqtari Ivica Stefanovski, Trupi gjyqësor nuk ka qenë në mundësi të sigurojë praninë e Palevskit për faktin se akuza është vlerësuar para seancës së sotme dhe nuk janë plotësuar kushtet ligjore që ai të jetë prezent.

 

QËNDRONI TË LIDHUR