• e enjte, 04 dhjetor 2025

Gjorgjievski: Ka indikacione se ekziston keqpërdorim serioz me vlerësimet e tatimit të pronës në Qytetin e Shkupit, afro 40 milionë euro në vit janë humbjet

Gjorgjievski: Ka indikacione se ekziston keqpërdorim serioz me vlerësimet e tatimit të pronës në Qytetin e Shkupit, afro 40 milionë euro në vit janë humbjet

Shkup, 2 dhjetor 2025 (MIA) – Ka indikacione të caktuara se ekziston keqpërdorim serioz me vlerësimet e tatimit të pronës në Qytetin e Shkupit, deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke theksuar se shërbime profesionale tashmë kanë hyrë dhe po hetojnë si për shembull, disa objekte në vend që të paguajnë për sipërfaqe prej 20 mijë katrorë, paguajnë tatim të pronës vetëm për sipërfaqe 500 metra katrorë. 

Gjorgievski, në paraqitjen e tij në ditarin e televizionit Sitel, deklaroi se tashmë kanë pasur disa takime të njëpasnjëshme me Drejtorinë e Policisë Financiare, duke theksuar se "po merren seriozisht si me ndërmarrjet publike ashtu edhe me situatën atje, por edhe me situatën në Qytetin e Shkupit", duke shprehur shpresën se në periudhën e ardhshme më në fund do të ketë rezultat nga të gjitha ato procedura që në të kaluarën shkaktuan dëme serioze për ndërmarrjet publike dhe Qytetin e Shkupit.

“Vlerësimet e tatimit të pronës, ka indikacione të caktuara te ne, për të qenë më i saktë dhe të them se kam informacione të besueshme. Ekzistojnë shërbime profesionale dhe ato tashmë kanë hyrë për ta hetuar këtë, për shembull, si për objekte të caktuara në vend që të paguajnë për sipërfaqe prej 20 mijë metra katrorë në Qytetin e Shkupit, dikush në sektor, ndoshta i drejtuar nga dikush tjetër, ka menduar të paguajë tatim prone vetëm për 500 metra katrorë sipërfaqe. Ky është keqpërdorim i rëndë dhe në fund të ditës, ne, qytetarët, të gjithë po e paguajmë faturën për të”, deklaroi Gjorgjievski.

Ka, theksoi Gjorgjievski, pagesë shumë të ulët të tatimit të pronës dhe paralajmëroi se nga viti i ardhshëm fillojnë me projekt për rivlerësim të ri të tatimit të pronës. 

“Pas asaj që e kemi si informacion fillestar rreth 40 milionë euro në nivel vjetor janë humbjet, që janë humbje enorme në nivel të Qytetit të Shkupit”, deklaroi Gjorgjievski. 

Gjorgjievski, gjithashtu, tha se sot ka pasur takim edhe me menaxherët e restoranteve dhe kafeneve në Qytetin e Shkupit dhe se mbi 95 për qind të pronarëve të lokaleve pesë vite më parë nuk u ishin rregulluar marrëdhëniet për shfrytëzimin e lokaleve. 

“Sistemi thjesht nuk funksionoi. Prandaj mungojnë mjete në buxhet, prandaj situata është alarmante jo vetëm me ndërmarrjet publike, por edhe me Qytetin e Shkupit në aspektin financiar”, deklaroi Gjorgjievski.

Gjorgjievski, mes tjerash, u shpreh i bindur se mund ta ngritin qytetin në këmbë të shëndosha dhe theksoi se nuk punon vet dhe se ka ekip të mirë serioz, që është pas tij dhe ndihmon. 

Lidhur me 500 të punësuarit, të cilëve iu ndërpre marrëdhënia e punës në ditën e tij të parë si kryetar komune, Gjorgjievski tha se kjo u kushtonte qytetarëve rreth pesë milionë euro në vit, që do të thotë se ata "humbën dy Luna parqe në një mandat kryetar komune", duke pasur parasysh se Luna Parku i ri, për të cilin tenderi do të shpallet deri të premten, siç njoftoi ai më parë, do të kushtojë rreth 10 milionë euro. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR