• e premte, 05 dhjetor 2025

Gjorgjievski: Aerodromi do të bëhet me një rrethrrotullim të ri, një urë të re dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore

Gjorgjievski: Aerodromi do të bëhet me një rrethrrotullim të ri, një urë të re dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore

Shkup, 1 tetor 2025 (MIA) - Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga VMRO-DPMNE, Orce Gjorgjievski sot në një prononcim për mediat njoftoi se Komuna e Aerodromit do të bëhet me një rrethrrotullim të ri, urë të re dhe shumë projekte tjera infrastrukturore.

"Një nga projektet e para që do t'i prezantoj si pjesë e programit tim është ridizajnimi i këtij kryqëzimi mes bulevardeve "Kuzman Josifovski-Pitu" dhe "Jane Sandanski" me rrugët "Rudi Çaevac" dhe "Simeon Kavrakirov". Këtë pikë do ta zgjidhim me projektimin e rrethrrotullimit modern, sipas standardeve më të larta evropiane me ishuj sigurie, sinjalistikë të qartë, kalime të rregulluara për këmbësorët dhe qasje të optimizuara. Kështu do të sigurojmë lëvizje më të sigurt, më të shpejtë dhe më efikase për të gjithë. Ky rrethrrotullim është një nga ata të cilët janë integruar në konceptin për ridizajnimin e 50 udhëkryqeve kritike dhe rrugëve. Ai koncept, i cili deri në vitin 2030 duhet të realizohet plotësisht, synon të sjellë Shkupin në vizionin "zero aksidente fatale", theksoi Gjorgjievski.

Sipas Gjorgjievskit, ridizajnimi i pikave kritike, vendosja e rrethrrotullimeve, kalimet e ngritura dhe kufizimet vizuale do ta ulin shpejtësinë, do ta rrisin dukshmërinë dhe do të krijojnë një qytet në të cilin siguria është prioritet.

"Në këtë drejtim, projekti për ndërtimin e plotë të Bulevardit ASNOM është veçanërisht i rëndësishëm. Me realizimin e tij, përfundimisht do të vendoset lidhja afatgjatë midis komunave Aerodrom dhe Gazi Babë përmes urës tashmë të ndërtuar "Mihailo Apostolski". Në fazën e parë, me një zgjidhje të drejtë dhe ligjore të shpronësimit, do të mundësohet një lidhje me bulevardin "Aleksandar Makedonski", me hapjen e një rruge të re, të drejtpërdrejtë të trafikut. Kjo do të pasohet nga një fazë e dytë e projektit, me të cilën, përmes një inspektimi të detajuar dhe mundësisë së ridizajnimit të rrugës deri në "Ist Gejt", do të mundësojmë një kapërcim racional dhe të drejtë të sfidave pronësore dhe ligjore. Kjo do të thotë dalje më të shpejta, trafik të reduktuar dhe një cilësi më të mirë jetese për mijëra qytetarë. Njëkohësisht, dua t'ju informoj për një nga projektet kapitale të infrastrukturës për qytetin - zgjerimin e bulevardit "Fevruarski pohod", përkatësisht "pesëshja e fundit" me një urë të re mbi lumin Vardar, e cila do të lidhet drejtpërdrejt me rrugën "Pero Nakov", theksoi Gjorgjievski, duke potencuar se me këtë ndërhyrje do të krijojë një bosht të ri dhe të fuqishëm trafiku që do të bashkojë komunat Aerodrom dhe Gazi Baba, do të integrojë kapacitetet industriale dhe transportin publik, do të përmirësojë lëvizshmërinë dhe do të mundësojë zhvillim të balancuar të pjesëve lindore dhe perëndimore të qytetit.

Ai theksoi se të gjitha këto projekte - rrethrrotullime, udhëkryqëzimet e sigurta, vazhdimi i bulevardeve dhe ndërtimi i një ure të re - nuk janë vetëm projekte për Aerodromin, por janë projekte për gjithë Shkupin. "Vizioni im është Shkupi të bëhet një qytet në të cilin çdo fëmijë i sigurt arrin në shkollë, çdo shofer i sigurt arrin në shtëpi, ndërsa çdo qytetar jeton në një mjedis me infrastrukturë moderne dhe standarde evropiane", theksoi Gjorgjievski. sa/

Foto: Fejsbuku i Orce Gjorgjievski

QËNDRONI TË LIDHUR