• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gjorgievska në panel diskutim "Kanceri i lëkurës mund të shihet dhe nëse zbulohet herët, mund të kurohet me sukses"

Gjorgievska në panel diskutim

Shkup, 20 qershor 2023 (MIA) - Bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska, sot në Shtëpinë Evropiane në Shkup, mori pjesë në panelin-diskutimin me temë “Kanceri i lëkurës mund të shihet dhe nëse zbulohet herët, mund të kurohet me sukses", si pjesë e fushatës për ndërgjegjësimin e opinionit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të melanomës dhe kancereve të tjera të lëkurës, EUROMELANOMA.

Gjorgievska, siç informojnë nga kabineti i presidentit, ka theksuar se ngritja e vetëdijes për këtë sëmundje është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse është një dukuri alarmante.

"Vlerësohet se nëse vazhdon i njëjti trend i rasteve me melanoma, deri në vitin 2040 do të ketë 50 për qind më shumë raste të reja, kështu që në nivel vjetor do të ketë rreth gjysmë milioni raste në botë, që do të thotë se norma e vdekjeve do të rritet për 68 për qind, ose rreth njëqind mijë njerëz do të humbnin jetën nga melanoma", theksoi zonja Gjorgievska.

Bashkëshortja e presidentit theksoi se duhet t'i kushtojmë vëmendje lëkurës sonë çdo ditë sepse është një sëmundje jashtëzakonisht malinje, ndërsa veçanërisht i rëndësishëm është vetëzbulimi i hershëm dhe ekzaminimet e rregullta dermatologjike.

"Duhet të kujtojmë se lëkura mban mend. Prandaj duhet ta mbrojmë lëkurën ashtu siç na mbron ajo neve", theksoi Gjorgievska.

Në panel mori pjesë edhe ambasadori Dejvid Gir, shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dr. Zorica Zafiroviq, dermatovenerologe, Klinikë Universitare për Dermatologji - Shkup, përfaqësues dhe koordinator i EUROMELANOMA në Maqedoninë e Veriut, Filip Nikolovski, student i mjekësisë, Lupka Nikolovska, paciente me melanoma dhe Dr. Sonja Grazhdani, themeluese e Klubit të Mjekëve të Rinj. ls/

Foto: Kabineti i presidentit të RMV-së

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR