• e premte, 05 dhjetor 2025

Gjendja me reshjet për momentin është e qëndrueshme, QMK-ja u bën apel drejtuesve të automjeteve që të kenë pajisje dimërore dhe karburant të mjaftueshëm nëse udhëtojnë

Gjendja me reshjet për momentin është e qëndrueshme, QMK-ja u bën apel drejtuesve të automjeteve që të kenë pajisje dimërore dhe karburant të mjaftueshëm nëse udhëtojnë

 Shkup, 26 nëntor 2025 (MIA) - Gjendja me reshjet në vend për mopmentin është e qëndrueshme, por sipas informacioneve nga Drejtoria për Punë Hidrometereologjike pritet rritje e nivelit të ujit në pjesën e sipërme të pellgut të lumenjve Vardar, Treska, Radika, Sateska, Koselska, si dhe në rrjedhat e ujit në rajonin Ohër-Prespë. Rritje e nivelit të ujit pritet edhe në lumin Lepenc, në rrjedhat e ujit dhe luginat e thata që vijnë nga Mali Sharr, si dhe në pellgun e lumenjve Pçinjë dhe Strumicë.  

 Nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informojnë se është kërkuar nga njësitë e vetëqeverisjes lokale t'i angazhojnë  ndërmarrjet publike për të inspektuar të gjitha vendet kritike ku lumenjtë mund të dalin nga shtrati ose të përmbyten.

 Nga QMK apelojnë për lëvizje të kujdesshme përgjatë lumenjve dhe luginave të thata, dhe që ata që do të udhëtojnë në ditët në vijim të kenë mjaftueshëm karburant në rezervuarë dhe pajisje dimërore të përshtatshme, pasi është e mundur të formohen shtresa dëbore dhe disa rrugë të pakalueshme në periudha të caktuara. Personat që jetojnë në lartësi më të mëdha duhet të furnizohen menjëherë me furnizime bazë (ushqime dhe ilaçe).

 Në rast rreziku ose nevoje, qytetarët mund të telefonojnë në numrin falas për thirrje urgjente - 112 në QMK.

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR