• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Gjendet trupi i pajetë i 14-vjeçares së zhdukur

Gjendet trupi i pajetë i 14-vjeçares së zhdukur

Shkup, 3 dhjetor 2023 (MIA)- Pas masave dhe aktiviteteve të gjithanshme të ndërmarra nga nëpunës policorë nga SPB Shkup, sot (03.12.2023) trupi i pajetë i të miturës V.Gj. e cila ishte raportuar si e zhdukur më 27.11.2023, është gjetur në rrethinën e Shkupit, ndërsa në afërsi të Velesit, është gjetur edhe trupi i pajetë i P.Zh.(74) nga Velesi i cili ishte raportuar i zhdukur më 24.11.2023, informoi sonte MPB-ja.

Nga MPB thonë se në lidhje me dy rastet dyshohen pesë persona, tre prej të cilëve kërkohet paraburgim, një është jashtë shtetit dhe një person për momentin ndodhet në stacion policor.

"Paraprakisht në lidhje me veprat penale është gjetur një automjet i djegur i tipit 'Citroen' dhe pas ekspertizës është siguruar prova materiale për përfshirjen e personave, për të cilat pas dokumentimit të plotë të rasteve do të bëhet kallëzim përkatës penal në koordinim me Prokurorin publik", thonë në MPB.

Nga veprimet hetimore të kryera u konstatua se të dyja vrasjet janë kryer nga të njëjtët persona, motivi i të cilëve ishte “përfitimi”.

"Nga masat operative të realizuara është konstatuar se e mitura V.Gj. është marrë me makinë nga hyrja e vendit të banimit dhe nga të dhënat nga marrja në pyetje është konstatuar se ajo është vrarë të njëjtën ditë (27.11.2023) rreth orës 10:00", qëndron në kumtesën e MPB-së.

Menjëherë pas marrjes së raporteve për personat e zhdukur, nga MPB theksojnë se janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për gjetjen e tyre, ndërsa në SPB Shkup është formuar Shtabi i posaçëm operativ me në krye kryeshefin e SPB Shkup. Janë kryer bastisje në shtëpi dhe objekte të tjera në zonat e SPB Shkup, SPB Veles dhe SPB Shtip ku janë gjetur dhe konfiskuar telefona celularë, kompjuterë, automjete etj., janë zhvilluar biseda të shumta me familjarë, miq dhe persona që do të mund të kishin ndonjë informacion, ndërsa në aktivitetet herimore ishin përfshirë edhe disa qindra nëpunës policorë që punonin ekskluzivisht në këto raste.

"Prokurorët publikë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe nga Prokuroria Themelore Publike Veles kanë kryer kontrolle në dy lokacionet ku janë gjetur trupat e të zhdukurve. Janë dhënë urdhra për autopsi në trupat e viktimave dhe për identifikimin e duhur.  Njashtu janë lëshuar urdhra për mbledhjen dhe ekspertizën e të gjitha gjurmëve dhe provave nga të dyja lokacionet", informojnë në kumtesën e përbashkët Prokuroria publike dhe MPB-ja.

Në ditët pas zhdukjes së dy personave, prokurorët publikë lëshuan urdhra për kontrolle në vende të shumta, sigurimin e pamjeve të vëzhgimit me video, vendndodhjen bazuar në stacionet bazë, analizat ligjore të pajisjeve elektronike, mjekësinë ligjore të gjurmëve materiale dhe provave, duke përfshirë makinën ndërlidhur me ngjarjen. Janë marrë në pyetje persona të cilët kanë mundur të kenë njohuri të caktuara për ngjarjen dhe në bazë të të gjitha provave të grumbulluara është zbardhur ngjarja për autorët e dyshuar dhe motivet e tyre. Pas kompletimit të provave dhe ekspertizës, prokuroria do të fillojë procedurat përkatëse ndaj të gjithë të dyshuarve.

"Në të njëjtën kohë përkundër spekulimeve dhe dezinformatave se ky rast ka prapavijë etnike, ju njoftojmë se të gjithë të dyshuarit janë të përkatësisë etnike maqedonase”, kanë thënë nga Prokuroria publike dhe MPB-ja..

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR