Gjashtë të vdekur pas stuhisë që goditi Kubën, nata e katërt pa energji elektrike
- Të paktën gjashtë persona kanë vdekur pasi cikloni tropikal "Oskar" goditi Kubën lindore, deklaroi mbrëmë presidenti Migel Diaz-Kanel, pasi pjesa më e madhe e ishullit ishte kryesisht në errësirë për të katërtën natë me radhë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 07:50, 22 tetor, 2024
Meksikë, 22 tetor 2024 (MIA) - Të paktën gjashtë persona kanë vdekur pasi cikloni tropikal "Oskar" goditi Kubën lindore, deklaroi mbrëmë presidenti Migel Diaz-Kanel, pasi pjesa më e madhe e ishullit ishte kryesisht në errësirë për të katërtën natë me radhë.
Në provincën e Guantanamos, zona të tëra janë përmbytur, ndërsa ekipet e shpëtimit nuk mundën të arrinin në zonat e prekura, tha Diaz-Kaneli. Autoritetet thanë se të paktën 1.000 shtëpi janë dëmtuar, raporton DPA.
Rënia e rrjetit të vjetër elektrik në vend për shkak të stuhisë rezultoi në mungesën e energjisë për rreth 10 milionë banorë për të katërtën natë me radhë. Rrjeti i vjetër i energjisë në Kubë dështoi të premten në mëngjes.
Díaz-Kanel tha se vetëm një e treta e furnizimit me energji elektrike të vendit është rivendosur deri më tani. Në Havana rreth 90 për qind e lidhjeve sërish kanë energji elektrike.
Presidenti tha se nuk do të marrë më pjesë në samitin e BRIKS-it në qytetin rus të Kazanit, i cili fillon sot, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga stuhia.
Oskari e goditi Kubën si një uragan gjatë fundjavës, më pas u ul në një stuhi tropikale më të dobët ndërsa kaloi mbi ishull.
Sipas Qendrës Kombëtare Amerikane të Uraganeve, stuhia vazhdon të shkaktojë reshje të mëdha shiu në Kubën lindore dhe në jugperëndim të Bahamas.
Foto: Arkivi i MIA-s