• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gir për MIA-n: Nëse zbatohen ndryshimet kushtetuese, hapi tjetër është me automatizëm, pa mundësi të vetos dhe vendime shtesë

Gir për MIA-n: Nëse zbatohen ndryshimet kushtetuese, hapi tjetër është me automatizëm, pa mundësi të vetos dhe vendime shtesë

Shkup, 14 korrik 2023 (MIA) - Nëse zbatohen ndryshimet kushtetuese, atëherë hapi i ardhshëm do të ndodhë me automatizëm, pa mundësi të vetos dhe vendime shtesë, thotë në intervistën për MIA-n, euroambasadori Dejvid Gir.

Në përgjigjen e pyetjes se si të arrihet deri te kompromisi për ndryshimet kushtetuese, Gir thotë se duhet ndryshuar fryma e dialogut, të ecet përpara jo vetëm, siç thotë ai, për ndryshimet kushtetuese, por edhe për reformat.

"Shohim se në vend ka një polarizim të madh midis partive politike. Thuajse të gjitha partitë politike publikisht tregojnë dhe përsërisin se janë të përkushtuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Mirëpo, kur është fjala për bashkëpunimin praktik, të themi rreth legjislacionit, me çka vendi do të avanconte dhe do të ishte në interes të qytetarëve, atë bashkëpunim nuk po e shohim", theksoi Gir për MIA-n.

Gir thotë se është e rëndësishme se kur të publikohet teksti përfundimtar për ndryshimet kushtetuese, të ketë debat të hapur dhe të gjithë politikanët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe t'i vendosin interesat e shtetit në plan të parë, të shohin tekstin dhe të sigurohen se çfarë në fakt propozohet.

“Nëse, siç presim, bëhet fjalë për futjen e njerëzve që deklarohen si bullgarë në Kushtetutë, atëherë do të bëhet eksplicite ajo që është tashmë implicite në vetë Kushtetutën dhe kjo do të paraqiste fuqizim të mëtejshëm të historisë tashmë të mirë të vendit në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike. Nuk shoh se kjo është kundër interesit kombëtar apo kërcënim për identitetin e këtij vendi. Megjithatë, këto janë vendime që duhet t'i marrë vetë vendi”, thotë Gir në intervistën për MIA-n e cila e plotë me video-material do të publikohet nesër.

QËNDRONI TË LIDHUR