Gill: BE do t'u përgjigjet në momentin e duhur masave nga "Dita e çlirimit" të Trampit
- Bashkimi Evropian do t'u përgjigjet në momentin e duhur tarifave të reja doganore që Presidenti amerikan Donald Tramp pritet t'i shpallë sonte, paralajmëroi Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Sigurinë Ekonomike, Tregtinë, Shërbimet Financiare dhe Tarifat Doganore Olof Gill.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:31, 2 prill, 2025

Bruksel, 2 prill 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian do t'u përgjigjet në momentin e duhur tarifave të reja doganore që Presidenti amerikan Donald Tramp pritet t'i shpallë sonte, paralajmëroi Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Sigurinë Ekonomike, Tregtinë, Shërbimet Financiare dhe Tarifat Doganore Olof Gill.
Ai theksoi se BE së pari do t'u përgjigjet tarifave doganore mbi importet e çelikut dhe aluminit në SHBA, e më pas do të vijojë "klasteri i përbashkët" i përgjigjeve ndaj të gjitha masave të tjera të SHBA-së, duke përfshirë ato mbi tarifat doganore të automjeteve dhe "kontratarifave doganore" eventuale.
"Për momentin, nuk mund të them asgjë më shumë për asnjë nga përgjigjet, sepse e para po kalon nëpër procesin e brendshëm nëpër të cilin duhet të kalojë dhe e dyta do të vijojë pas shpalljes së pritshme nga Uashingtoni më vonë sot", deklaroii Gilli, duke shtuar se BE do të ketë gjithmonë në radhë të parë interesin e taksapaguesve evropianë.
Lidhur me paralajmërimin nga Parisi se BE do t'u përgjigjet tarifave doganore amerikane "deri në fund të prillit" dhe do të vendosë kontratarifa midis 20 dhe 25 për qind, Gilli tha se Franca nuk është ajo që flet në emër të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për politikën e përbashkët.
"E di që ka lloj-lloj thashethemesh dhe kundërargumentesh të ndryshme për këtë çështje shumë serioze dhe komplekse, por jemi gjithmonë në pozitë që të mos flasim për numra, derisa të zbulojmë se sa të mëdha janë ato. Sigurisht, ne kemi indikacione nga administrata amerikane dhe jemi në dialog të vazhdueshëm me vendet anëtare, por derisa të dimë gjithçka me siguri nuk do të hyjmë në asnjë analizë dhe natyrisht nuk do ta themi atë publikisht. Duhet të presësh disa orë dhe pastaj gjërat do të fillojnë të lëvizin", shtoi Gilli.
Zëdhënësi i KE theksoi se BE ka bërë vlerësim të ndikimit të mundshëm të masave amerikane dhe se do t'i prezantojë ato në momentin e duhur në ditët dhe javët e ardhshme.
"Sigurisht, ne bëjmë vlerësime, bëjmë analiza dhe marrim parasysh interesat e ekonomisë evropiane dhe në një kuptim më konkret të secilit sektor. Tani nuk është koha për t'i prezantuar ato, sepse ende nuk e dimë shtrirjen e plotë të dëmeve, por ne do t'i shpallim ato në momentin e duhur dhe kjo do të jetë së shpejti", tha Gilli.
Ai shtoi se Bashkimi "në të gjitha fazat e kësaj sage" e ka bërë shumë të qartë se përparësia e tij janë negociatat dhe se dëshiron të ulet në tryezë me partnerët amerikanë për të arritur një marrëveshje që do të "shmangë dhimbjen e pashmangshme të këtyre tarifave doganore në të dy anët e Atlantikut."
"Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të angazhohemi në të gjitha nivelet, në mënyrë që t'ua prezantojmë partnerëve tanë amerikanë dëmin e mundshëm ndaj ekonomive tona, por edhe gatishmërinë tonë për të gjetur zgjidhje nga e cila mund të përfitojnë të gjithë," shtoi Gilli.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karolajn Levit njoftoi se Presidenti i SHBA Donald Tramp do të nisë sot "nënën e të gjitha betejave tregtare" duke vendosur tarifa të reja që "do të shënojnë fillimin e një epoke të artë" për SHBA-në.
"Plaçkitja e Amerikës po merr fund," tha Levit, duke theksuar se tarifat doganore do të hynin në fuqi "menjëherë".
Tarifat e reja doganore do të prezantohen sonte vonë, menjëherë pas mbylljes së Bursës së Nju-Jorkut, gjatë asaj që Tramp e quajti "Dita e çlirimit ".
foto: arkivi i MIA-s