• e enjte, 19 dhjetor 2024

Gebrejesus u bëri thirrje vendeve që ta finalizojnë marrëveshjen për pandemitë

Gebrejesus u bëri thirrje vendeve që ta finalizojnë marrëveshjen për pandemitë

Gjenevë, 3 maj 2024 (MIA) - Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adanom Gebrejesus sot u kërkoi vendeve të bien dakord për një marrëveshje për të ndihmuar luftimin e pandemive të ardhshme, ndërsa negociatat janë afër një afati të fundit këtë muaj.

Marrëveshja e re dhe një sërë përditësimesh të rregullave ekzistuese për trajtimin e pandemive synojnë të forcojnë mbrojtjen e botës kundër patogjenëve të rinj pasi pandemia Kovid-19 vrau miliona njerëz.

Vendet duhet të finalizojnë negociatat mbi marrëveshjen më 10 maj, me synimin për ta miratuar atë në takimin vjetor të OBSH-së më vonë këtë muaj, por burime të njohura me këtë çështje thonë se ka ende dallime të mëdha, raportojnë agjencitë botërore.

"Jepuni njerëzve të botës, njerëzve të vendeve tuaja, njerëzve që përfaqësoni, një të ardhme më të sigurt", tha Gebrejesus në takimin në Gjenevë.

Ai inkurajoi vendet që nuk pajtohen plotësisht me tekstin e marrëveshjes që të paktën të përmbahen nga bllokimi i konsensusit midis 194 vendeve anëtare të OBSH-së. Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes midis vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim është çështja e shpërndarjes së barabartë të ilaçeve dhe vaksinave për të shmangur përsëritjen e dështimeve të epokës së kovidit. qa/

Foto: X

QËNDRONI TË LIDHUR