Gazeta ekspres: Emisarët e sollën në Prishtinë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
- - Pesë emisarët e BE-së, të cilët pak pas orës 10 mbërritën në Qeverinë e Kosovës në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sipas informacioneve të portalit "Gazeta ekspres", e sollën me vete draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i përgatitur nga ekipet e tyre.
- Post By Fitore Curri
- 12:53, 21 tetor, 2023
Prishtinë, 21 tetor 2023 (MIA) - Pesë emisarët e BE-së, të cilët pak pas orës 10 mbërritën në Qeverinë e Kosovës në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sipas informacioneve të portalit "Gazeta ekspres", e sollën me vete draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i përgatitur nga ekipet e tyre.
Ky draft-statut për Asociacionin, sipas portalit bazohet edhe në Pakon e Marti Ahtisarit, që është baza e Kushtetutës së Kosovës.
Që prej prezantimit të planit franko-gjerman, Perëndimi ka insituar që pala kosovare të dalë me një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që shihet si pjesa kyçe e marrëveshjes. Nga pala kosovare nuk ka pasur ndonjë lëvizje.
Ideja që ndërmjetësi të sjellë në negociata draft-statutin është diskutuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Xhozep Borrell, në akademinë verore “Quo vadis Europa?”, në Santander të Spanjës nga data 21 deri më 25 gusht. Por, zhvillimet në Veri, ose më saktë sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ka shtyrë gjithcka.
Në takimin e 14 shtatorit në Bruksel pala kosovare kishte hedhur poshtë planin e sekuencimin të propozuar nga ndërmjetësit që parashihte që zbatimi i Aneksit të Ohrit të fillonte me fillimin e hartimit të dokumenteve për themelimin e Asociacionit në këmbim të heqjes së fusnotës/asteriksin me të cilën prezantohet Kosova në disa forume rajonale.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mioslav Lajçak, i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, erdhën sot në Prishtinë.
Diplomatët janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më pas do të vazhdojnë për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i Vuçiqit me pesëshen, sipas Beogradit zyrtar, është caktuar për në orën 14.00.
Siç është bërë e ditur, qëllimi i vizitës është që të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe depërshkallëzimin pas zhvillimeve të fundit.
Përveç Lajcakut dhe Eskobarit, delegacionin e përbëjnë edhe Emanuel Bone, këshilltar për sigurinë dhe politikën e jashtme të presidentit francez Emanuel Makron, Jens Plotner, këshilltar i kancelarit gjerman Olaf Shollc dhe Francesko Taglo, këshilltar i kryeministres italiane Xorxha Meloni. fc/