Gashi: Nuk kam marrë letër nga familjet e viktimave në tragjedinë e Koçanit, në ribalancin e buxhetit janë paraparë fonde për ndihmën e tyre
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në birfingun e sotëm javor informoi se nuk ka marrë letër nga familjet e të pësuarve në tragjedinë në Koçan.
- Post By Qefsere Abduli
- 17:31, 7 korrik, 2025
Shkup, 7 korrik 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në birfingun e sotëm javor informoi se nuk ka marrë letër nga familjet e të pësuarve në tragjedinë në Koçan.
Ai theksoi se në ribalancin e buxhetit, që është në procedurën parlamentare, janë paraparë fonde për ndihmën e tyre.
"Nuk kam marrë një letër të tillë. Por, sipas njohurive të mia, Qeveria, gjegjësisht Ministria e Financave edhe në ribalanc janë paraparë fonde të cilat përgjigjen pikërisht në kërkesën e atyre familjeve. Në këtë pjesë shohim të jemi më të kujdesshëm. Ndërsa nga ana tjetër, t'iu dalim në ndihmë si shtet. E di që edhe LSDM-ja ka disa amendamente rreth kësaj çështjeje. Por, shumica përputhen me propozimet e Ministrisë së Financave. Kjo është pjesa e fokusit. Qeveria dhe Ministria kanë menduar në këtë drejtim dhe bëjnë, sipas informacioneve të mia, gjithçka që është e mundur", tha Gashi.

Shoqata e qytetarëve "16 mars 2025 - Koçan", e themeluar nga familjet e viktimave në tragjedinë në klubin "Puls", kanë dërguar një shkresë deri te institucionet shtetërore dhe ato të drejtësisë, në të cilën përmenden disa kërkesa.
Në shkresën drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi dhe presidentes së shtetit Gordana Siljanovska Davkova, prindërit kërkojnë të përfitojnë ndihmën financiare ligjore, ndërsa gjithashtu familjet të marrin ndihmën institucionale të nevojshme.
"Kemi dorëzuar kërkesë te Prokuroria Themelore Publike - Koçan që të ndërmjetësojë të realizojmë takim me përfaqësues nga mjekësia ligjore në Shkup. Gjithashtu, kemi kërkesë për regjistrim të plotë video dhe audio gjatë procedurës gjyqësore", theksohet, ndër të tjera, në kërkesën e Shoqatës. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s