Gashi: Nuk kam ingerenca të propozoj kryetar të Komisionit për politikë sociale, por vetëm të caktoj kryesues për të thirrur seancat
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarë theksoi se nuk ka ingerenca të propozojë kryetar të Komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini. Ai tha se mund të caktojë kryesues për të thirrur seancat e Komisionit.
- Post By Fami Bajrami
- 12:26, 30 janar, 2025
Shkup, 30 janar 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarë theksoi se nuk ka ingerenca të propozojë kryetar të Komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini. Ai tha se mund të caktojë kryesues për të thirrur seancat e Komisionit.
"Sa i takon Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini, ju referoj në Rregulloren, neni 126 dhe 114 i zgjidhin këto situata kur nuk ka kryetar të Komisionit, kryetari do të konstatojë, do të thërrasë kryesues që të thirrë seancat për ligje të caktuara në ato fusha", ka thënë Gashi.
Kryetari i Kuvendit ka thënë se nëse “Fronti Evropian” nuk propozon kryetar të Komisionit në vendin e Ilire Dautit, atëherë ajo çështje zgjidhet vetëm përmes Komisionit për zgjedhje dhe emërime.
"Propozimet vijnë nga grupet parlamentare. Kryetari i Kuvendit nuk ka të drejtë vetë të propozojë kryetar të Komisionit deri te Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Sa i përket kryetarit të Komisionit, unë nuk kam ingerenca, kompetenca për të caktuar kryetar. Nëse arrijnë ligje dhe nuk thirren seanca, nëse nuk ka kryetar, normalisht se nuk do të thirren seanca, atëherë unë do të caktoj një deputet që do t'i udhëheq seancat”, ka thënë Gashi.
Kuvendi më 16 janar konstatoi dorëheqjen e Ilire Dautit nga funksioni i kryetares së Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini me mbështetjen e 61 deputetëve dhe 22 votave kundër, ku dhe u votua për interpelancën e saj.
Dauti, duke e arsyetuar dorëheqjen, theksoi se ky është kulmi i turpit që ndodhi në Kuvend dhe shtoi se edhe për Ligjin për mbrojtësit i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë në pajtim me Rregulloren me qëllim që të ngritët niveli i debatit lidhur me nevojën për trajtim të palëve nga konflikti i vitit 2001 në mënyrë të barabartë.
"Përse Apasievi dhe deputetët e tjerë nga E Majta lidhur me Ligjin për mbrojtësit, nuk kërkuan që pika të vendoset në rend dite? Unë do ta kisha shtuar në rend dite, por parashtrohet pyetja përse deputetët nuk e kërkuan atë. Afati për vendosje të pikës në rend dite kaloi dhe mua nuk më lejonte Rregullorja ta shtoj atë pikë. Këta 61 deputetë po luajnë me pushtetin. Për mua kusht është të respektohen të gjitha nacionalitetet", tha Dauti.
Foto: arkivi i MIA-s