• e diel, 22 dhjetor 2024

Gashi: Nëse për BDI-në është me rëndësi që shqiptar të jetë kryeministër apo president, le ta përkrah Taravarin

Gashi: Nëse për BDI-në është me rëndësi që shqiptar të jetë kryeministër apo president, le ta përkrah Taravarin

Shkup, 15 shkurt 2024 (MIA) - Arben Taravari është një nga kandidatët më të mirë në garën presidenciale dhe është e mundur të shkojë në rrethin e dytë të zgjedhjeve. E kandiduam për shkak të cilësisë që e posedon si person, është mjek i njohur dhe u ka shërbyer të gjithë qytetarëve dhe përkrahje do të ketë nga etnikume të ndryshme, deklaroi lideri i Alternativës, Afrim Gashi.

Lidhur me paralajmërimin se edhe Ali Ahmeti do të kandidohet për president të shtetit, Gashi në emisionin "Vetëm intervistë" në TV Kanal 5 tha se "nëse për BDI-në është aq me rëndësi që shqiptar të jetë kryeministër apo president, pse nuk i bind votuesit e tyre ta përkrahin Taravarin, pas të cilit qëndrojnë katër parti dhe shumë qytetarë".

"Tani është momenti për BDI-në të vendos nëse është për shqiptar. Nëse kanë kandidat të tyre, atëherë gjithçka bie në ujë - nuk e kanë pasur me rëndësi të jetë shqiptar, por të jetë BDI. Kjo është me rëndësi ta shohin qytetarët dhe të demaskohet BDI-ja. Nëse nuk je BDI, për ta nuk je shqiptar. Koha është që ky lloj i politikave të shkojë në histori", tha Gashi, sipas të cilit "është koha e fundit që gara të jetë në bazë të cilësisë, e jo në bazë etnike".

Në pyetjen nëse pendohet që "e ka shpëtuar qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së" në viitn 2021, ai u përgjigj se për fat të keq, tek ne punët shihen përmes prizmit të interesit partiak.

"Kemi hapur mundësi që shteti i jonë të hapë negociata me BE-në, ashtu ishte momenti politik. Nëse nuk kishte qeveri atëherë, nuk do të kishte negociata për të cilat shumë presim. Me hyrjen në Qeveri, më së shumti e dëmtova partinë time. Këtë e bëmë për shkak të interesit të shtetit dhe të gjithë qytetarëve", tha lideri i Aleancës.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, ai vlerëson se si bllok opozitar tani janë më të bashkuar, siç tha, mirë të sinhronizuar dhe i kanë tejkaluar paragjykimet. Ata koalicionojnë jo vetëm deri më 8 maj, por duan të realizojnë politika afatgjate dhe për këtë shkak punojnë në programet.

Me liderët e tre partive tjera në bllok - Besa e Bilall Kasmi, Lëvizja Demokratime e Izet Mexhitit dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit tani për tani nuk kanë biseduar për bashkim në një parti, as për lista dhe ndarjen e vendeve. Ai tha se me rëndësi për ta është parimi i barazisë dhe ashtu do t'i përgatisin edhe listat, por të mësuar nga e kaluara, do të jenë të kujdesshëm se kë do të kandidojnë për deputet.

Në pyetjen për koalicion pas zgjedhjeve me parti të bllokut maqedonas, tha se për ta është me rëndësi që ata ta pranojnë programin e tyre, ku integrimi në BE dhe koncepti i ri i arsimit janë prioritete.

"Do të bisedojmë me ato parti që do të jenë dinjitoze dhe do të pranojnë të implenentohet programi i jonë. Nëse nuk dakordohemi me partitë politike, të cilat do të kenë mandat politike, nuk ka çka të kërkojmë në atë qeveri vetëm për pushtet", tha lideri i Alternativës.

Si do të dakordoheshin me VMRO-DPMNE-në, duke e ditur qëndrimin e tyre për mospranimin e ndryshimeve kushtetuese, Gashi tha se ka mirëkupotim për partitë, të cilat janë për integrim evropian, ndërsa kanë problem me ndërhyrje në identitetin.

"VMRO-DPMNE deklarohet për integrim evropian, por nëse problemi i tyre është ndërhyrja në identitetin e maqedonasve, mendoj se kanë të drejtë dhe askush nuk duhet të heqë dorë nga identiteti i vet. Do të isha kundër nëse rrezikohet identiteti edhe i komunitetit më të vogël në shtet. Prioritet i qeverisë së ardhshme është që së bashku të punojmë për ndryshime kushtetuese, me këtë rast duke e mbrojtur identitetin e të gjithë qytetarëve. Kjo është zgjidhje pozitive për të gjithë", tha Gashi.

Në pyetje se cili është roli i Kurtit dhe nëse partia e tij Vetëvendosje është subjekti i pestë në koalicionin e tyre, Gashi u përgjigj se "kryeministri i Kosovës për shqiptarët në vendin tonë është aludim për ndryshim të sundimit 20-vjeçar të BDI-së, pasi në Kosovë ai e ka ndryshuar sundimin 20-vjeçar të komandantëve dhe lufton kundër krimit dhe korrupsionit". bsh/

Foto: Printskrin/"Vetëm intervistë"

 

QËNDRONI TË LIDHUR