Gashi në takim me vëzhguesit nga PE-ja: Jam i bindur se zgjedhjet do të tregojnë pjekuri demokratike të vendit
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot u takua me delegacionin e deputetëve, të cilët në emër të Parlamentit evropian do t'i vëzhgojnë zgjedhjet.
- Post By Arta Bunjaku
- 17:30, 17 tetor, 2025
Shkup, 17 tetor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot u takua me delegacionin e deputetëve, të cilët në emër të Parlamentit evropian do t'i vëzhgojnë zgjedhjet.
Anëtarët e Delegacionit vijnë nga katër parti politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, përkatësisht: Marta Temido nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve, Portugali; Karlo Resler nga Partia Popullore Evropiane, Kroaci, gjithashtu bashkëkryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut; Pjer Pimpi nga Patriotët për Evropën, Francë dhe Nikolas Faranturis nga e Majta, Greqi.

Kryetari Gashi shprehu besimin e tij se zgjedhjet e ardhshme lokale do të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta demokratike dhe do të demonstrojnë pjekurinë demokratike të vendit. Ai përshëndeti bashkëpunimin e gjatë dhe të suksesshëm, si dhe komunikimin e rregullt me Parlamentin Evropian, i cili zhvillohet në mënyrën më të drejtpërdrejtë përmes Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE - Maqedoni e Veriut. Ai theksoi se edhe pas 20 vitesh statusi kandidat, reformave, kompromiseve dhe vendimeve të vështira dhe të dhimbshme, qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbeten besnikë ndaj vlerave evropiane.
Eurodeputetët informuan se si Delegacion janë pjesë e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të udhëhequr nga OSBE-ODIHR dhe se megjithëse kanë marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve në vend shumë herë, kjo është hera e parë që do të vëzhgojnë zgjedhje lokale. Qëllimi i tyre është të kontribuojnë në monitorimin e paanshëm dhe objektiv të procesit, por edhe të konfirmojnë mbështetjen e fortë të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.

"Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi përgatitjen e institucioneve për zgjedhjet lokale, si dhe mbi rrjedhën e fushatës. Eurodeputetët shprehën shpresën se qytetarët e Maqedonisë së Veriut më 19 tetor do ta realizojnë të drejtën e tyre të votës në një atmosferë paqësore dhe demokratike, ndërsa Kryetari Gashi, duke u uruar suksese në misionin vëzhgues, theksoi se do t'i presë me vëmendje të madhe vlerësimet e tyre, të cilat shprehu besim se do të jenë pozitive dhe do të forcojnë më tej besueshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor", ceket në kumtesën e Kuvendit. ab/
Foto: Kuvendi