Gashi në takim me ish-kryetarët e Kuvendit - propozohet krijimi i një këshilli joformal për shkëmbim të ideve dhe përvojave pa ndikim politik
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot u takua me ish-kryetarët e shtëpisë ligjvënëse - Tito Petkovski, Savo Klimovski, Nikolla Popovski dhe Trajko Veljanoski.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 11:01, 4 nëntor, 2025
Shkup, 4 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot u takua me ish-kryetarët e shtëpisë ligjvënëse - Tito Petkovski, Savo Klimovski, Nikolla Popovski dhe Trajko Veljanoski.

Gashi, në një postim në Fejsbuk thekson se ky ishte një takim i veçantë, i pari i këtij lloji, me karakter institucional, ku kanë ndarë përvoja dhe ide të vlefshme për të ardhmen e Kuvendit si një institucion i rëndësishëm i shtetit.
Kryetari Gashi informoi se në takim u propozua të krijohet një këshill joformal ku do të shkëmbehen ide dhe përvoja pa ndikim politik.

"Biseduam për reformat dhe proceset që synojnë ta bëjnë Kuvendin më të pavarur, më transparent dhe më efikas në ushtrimin e funksioneve të tij. U pajtuam që përvoja e ish-kryetarëve përbën në përparësi për institucionin, prandaj u propozua krijimi i një këshilli joformal, ku mund të shkëmbehen ide dhe përvoja pa ndikim politik, në të mirë të Kuvendit dhe demokracisë parlamentare. I falënderova sinqerisht për pjesëmarrjen dhe gatishmërinë e tyre për bashkëpunim. Kuvendi gjithmonë do të mbetet një shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët dhe një vend ku proceset politike zhvillohen me dinjitet dhe përgjegjësi", thotë Gashi në postim.
Foto: Fejsbuku i Gashit