• e diel, 22 dhjetor 2024

Gashi në Gjenevë u takua me nënkryetarin e Parlamentit Evropian, Shtefanuca

Gashi në Gjenevë u takua me nënkryetarin e Parlamentit Evropian, Shtefanuca

Shkup, 16 tetor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shefi i Delegacionit në Unionin Interparlamentar (UIP), Afrim Gashi, sot realizoi takim me nënkryetarin e Parlamentit Evropian (PE), Nikollae Shtefanuca, në kuadër të Asamblesë së 149-të të UIP-së, që mbahet nga 13 deri më 17 tetor 2024 në Gjenevë, Konfederata Zvicerane. 

Në takim u diskutua për bashkëpunimin midis dy parlamenteve dhe sfidat aktuale në procesin e integrimit evropian të vendit tonë. 

 

"Nënkryetari Shtefanuca i përcolli përshëndetjet e kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, dhe theksoi se PE-ja me përkushtim po e ndjek situatën në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai u shpreh i kënaqur që kemi qeveri të qëndrueshme dhe shumicë të qëndrueshme në Parlament, si faktor i rëndësishëm për procesin integrues të vendit. Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se në Parlamentin Evropian ka shumë mbështetës për integrimin tonë në BE, veçanërisht në mesin e eurodeputetëve që vijnë nga rajoni i afërt dhe e kuptojnë rëndësinë dhe ndjeshmërinë e çështjes" kumtuan sot nga pres shërbimi kuvendor.

Kryetari Afrim Gashi u shpreh i kënaqur për mbajtjen e takimit në përbërjen e re parlamentare, si të Kuvendit, ashtu edhe të Parlamentit Evropian dhe theksoi se për ne është shumë e rëndësishme të ruajmë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe Parlamentin Evropian, duke marrë parasysh përcaktimin strategjik për anëtarësim sa më shpejt në BE. 

 

Sa i përket kushtit për ndryshime kushtetuese,   Gashi u shpreh i bindur se kjo çështje mund të zgjidhet me vullnet të mirë dhe qasje pozitive. Duke pasur parasysh detyrimet e përmbushura më parë nga ana jonë, presim parashikueshmëri më të madhe në proces.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që në periudhën e ardhshme të intensifikohen takimet ndërmjet përfaqësuesve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Parlamentit Evropian. Për këtë qëllim, Gashi i bëri ftesë nënkryetarit Shtefanuca që në periudhën e ardhshme ta vizitojë vendin tonë.  

Gashi, pati takim të shkurtër me kryetaren e UIP-së, Tulia Ekson, gjatë së cilës u shkëmbyen mendime për rolin vendimtar të parlamenteve në promovimin e paqes dhe zhvillimit global. U theksua nevoja për angazhim të vazhdueshëm në drejtim të forcimit të institucioneve demokratike, duke nxitur diskutimet për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen vendet. 

 

Në kuadër të Asamblesë së 149-të të UIP-së, Kryetari Gashi realizoi takime përshëndetëse me Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Numan Kurtulmush, Kryetar i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë dhe Snezhana Paunoviq, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Serbisë. Në takime u nënvizua rëndësia e riafirmimit të vlerave themelore të UIP-së dhe forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar.

Kryetari i Kuvendit, gjithashtu, realizoi takim përshëndetës me Bernar Pikard, kryetar i Fondacionit Solarimpulse, i cili bëri fluturimin e parë nëpër botë me aeroplan diellor dhe është fitues i çmimit “Shampionët e Botës” të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i këtij fondacioni është gjetja e zgjidhjeve inovative për krizën ekologjike dhe promovimi i tyre tek vendimmarrësit, me qëllim të përshpejtimit të tranzicionit drejt ekonomisë së qëndrueshme. 

Foto: Kuvendi i RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR